Miratohet kodin etik dhe rregullorja e punës së infermierëve


Prishtinë, 12 qershor - Në Kuvendin e katërt të saj, Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë shëndetësor, të mbajtur sot në Prishtinë, miratoi Rregulloren për punën e saj, Kodin Etik Profesional, formoi Komisionin për Buxhet dhe Financa dhe Komisionin për Solidaritet dhe Ndihmë Reciproke.
Gjithashtu, në këtë Kuvend, Oda diskutoi edhe për Projekt Statutin e saj, të cilin pritet të miratojë në takimin e radhës.
Punimet e Kuvendit, në emër të Ministrit të Shëndetësisë i ka përshëndetur këshilltari i tij politik, Valbon Krasniqi, i cili ka përgëzuar këtë Odë për aktivitetet e zhvilluar prej themelimit në janar të këtij viti dhe zgjedhjen e organeve të saj, duke vlerësuar se Oda do ta forcojë komunitetin infermieror në marrjen e përgjegjësive që ua siguron ligji për Odat e Profesionistëve Shëndetësor në Kosovë.
Kurse, kryetari i OIK, Naser Rrustemaj ka shpalosur para anëtarëve të Kuvendit aktivitetet e zhvilluara nga Oda prej themelimit të saj, aktivitete këto në funksion të fuqizimit të kësaj ode, komunitetit mjekësor që përfaqëson ajo dhe ushtrimit të përgjegjësive sipas Ligjit për Odat e Profesionistëve Shëndetësor në Kosovë.
Anëtarët e Kuvendit, pas miratimit të disa dokumenteve sot, janë dakorduar që në takimin e radhës, duke përfshirë sugjerimet e dhëna edhe sot në Kuvend, ta miratojnë Statutin e Odës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë shëndetësor të Kosovës.