Minstri Agani ndërpren kontratën Furnizim me citostatikë
Prishtinë, 25 janar - Pas konsultimeve të bëra me Auditorin e Brendshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP), Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, ka kërkuar nga Ushtruesi i Detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm dhe U.D i Departamentit të Prokurimit në MSh që të ndërpresin aktivitetin e prokurimit përkitazi me kontratën Furnizim me citostatikë: nr. 206/12/044/111.
Konkretisht për Lot 36 të këtij tenderi, që ka të bëjë me produktin medicinal Palonosetron (preparat kundër vjelljeve pas hemoterapisë ose pas anestezionit të përgjithshëm) në sasi prej 16.000 copa, në vlerë të përgjithshme prej 1. 247.840 euro.
Ministri Agani ka konstatuar se në bazë të dokumentacionit të shqyrtuar lidhur me deklaratën e nevojave dhe disponueshmërisë së mjeteve përkitazi me këtë tender, vlera e kontratës për këtë produkt medicinal shumëfish tejkalon në aspektin përpjestimor vlerën prej 4.000.000 eurove të parapara për blerjen e 44 llojeve të citostatikëve të përcaktuar në fillim të procedurës së tenderimit dhe rrjedhimisht.
Ministri ka konstatuar se është e palejueshme që gati një e treta e mjeteve financiare të parapara për prokurimin e 44 llojeve të citostatikëve të zotohet për blerjen e një preparati, që nuk është citostatik, por preparat ndihmës, pavarësisht faktit se bëhet fjalë për një kontratë kornizë, e cila nuk e obligon Ministrinë që të blejë në tërësi sasinë e parashikuar.
Ministri gjithashtu ka konstatuar edhe faktin se titulli i dosjes së tenderit nuk përmban specifikimet e detyrueshme teknike në mesin e të cilave duhet të përshkruhet edhe saktë produkti i cili duhet të blihet nga autoriteti kontraktues, që arsyetojnë blerjen e këtij produkti medicinal.
Mbështetur në këto fakte, Ministri Agani konkludon se kontrata e ofruar për nënshkrim nuk vërteton se është në pajtim të plotë me ligjin, ashtu siç kërkohet në nenin 26, paragrafi 2 të Ligjit për Prokurim Publik, dhe se për këtë arsye, nuk do ta nënshkruajë këtë kontratë.