25 Dhjetor 2024

Ministria e Shëndetësisë shënon Ditën Botërore kundër Kancerit

Prishtinë, 4 shkurt - Me rastin e 4 Shkurtit-Ditës Botërore kundër Kancerit, Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës, ri-konfirmon mbështetjen për fuqizimin e masave parandaluese efektive për parandalimin e sëmundjes së kancerit.

Bazuar në të dhënat e fundit rreth incidencës dhe vdekshmërisë së lartë në mbarë botën nga kjo sëmundje dhe barrën në rritje nga pasojat e saj, Ministria e Shëndetësisë miratoi muajin e kaluar Planin Nacional për Kontrollin e Kancerit, i hartuar nga Bordi Nacional për Kontrollin e Kancerit të Kosovës.

Ky plan, që ka për qëllim zvogëlimin e incidencës së kancerit në vendin tonë, objektiva kryesore ka parandalimin, zbulimin e hershëm dhe skriningun, diagnostikimin, trajtimin specifik multidisiplinar, trajtimin paliativ dhe rehabilitimin e pacientëve të prekur.

Në këtë plan, vend i veçantë i është kushtuar skrining programeve për kancerin e gjirit, atij kolo-rektal dhe kancerit të qafës së mitrës.

Para miratimit të Planit, Bordi kishte hartuar edhe Fletëparaqitjen e sëmundjeve malinje për Regjistrin e kancerit në Kosovë dhe kishte trajnuar mbi treqind profesionistë shëndetësor për raportimin e rasteve të reja, të cilat vitin që shkoi kanë filluar të raportohen nga institucionet shëndetësore publike dhe disa private në vend.

Gjithsesi, përkundër kufizimeve të mëdha buxhetore, për MSh-në është inkurajues fakti që tashmë në Klinikën e Onkologjisë në QKUK janë funksionalizuar shërbimi i kimioterapisë dhe radioterapisë, duke reduktuar nevojën për rekomandim për trajtim jashtë vendit të sëmundjeve malinje.

Mbi 24 000 vizita mjekësore dhe protokolle terapeutike të zbatuara tek pacientët, mbi 3 mijë seanca radio-terapeutike pa asnjë komplikim, flasin për vëllim dhe cilësi të punës në këtë klinikë dhe personelit aty.

Sidoqoftë, ndonëse MSh, ka ndarë vitin që shkoi rreth 5 milionë euro për sigurimin e kimioterapisë për të prekurit nga sëmundjet malinje apo rreth 23 për qind të buxhetit të përgjithshëm për barna dhe material shpenzues, ajo synon që të përmirësojë këtë vijë të ndjeshme të trajtimit të pacientëve, me qëllim që cilësia e këtyre shërbimeve të ngrihet edhe më tej.

MSh mbështet nismat globale në luftën kundër kancerit, e bindur se bashkërendimi i aktiviteteve të vendim-marrësve dhe profesionistëve shëndetësor, do të rezultojë me përmirësime të mëtejme në këtë fushë, duke njohur faktin se rreth gjysma e kancereve mund të shmangen dhe luftohen me sukses nëse zbatohen me përgjegjësi hallkat e trajtimit të saj, në veçanti veprimet që lidhen me parandalimin.

Miratimi i Ligjit për Kontrollin e Duhanit në frymën e Konventës Kornizë për Kontrollin e Duhanit të OBSH-së dhe rezultatet e para të tij, janë një tregues se masat efektive parandaluese, ndikojnë në zvogëlimin e incidencës së sëmundjeve malinje. 

Kësisoj, do të zbuten jo vetëm pasojat shëndetësore, por edhe ato sociale dhe ekonomike për shoqërinë kosovare.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)