Ministria e Shëndetësisë jep tenderin për ilaçin fals
Prishtinë, 10 tetor - Kompania Santefarm e ka regjistruar ilaçin Solu Medrol 40 mg si formë farmaceutike Solucion për injektim derisa i njëjti produkt nuk është regjistruar në asnjë vend tjetër si solucion (tretje), por si pluhur injektimi.
Përmes këtij dallimi ka arritur të fitojë tenderin mbi 160 mijë euro, të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë, ndonëse kishte vërejtje paraprake nga OSHP-ja
Ministria e Shëndetësisë (MSH) ka shpallur fitues të Lotit 58 në tenderin për Furnizim me ilaçe esenciale një produkt që në Agjencinë e Kosovës për Produkte Medicinale (AKPM) është regjistruar në mënyrë të parregullt, shkruan gazeta Zeri.
Loti i tenderit në vlerë mbi 160 mijë euro i është dhënë kompanisë Santefarm nga Prishtina, me pronar Milaim Abdullahun.
Kur gazeta Zëri ka hulumtuar regjistrimin e produktit Solu Medrol 40 mg nga kompania Santefarm ka gjetur se ai nuk i përket formës farmaceutike Solucion (tretje), siç është regjistruar në AKPM.
Ky produkt është një pluhur steril dhe si i tillë është regjistruar në disa vende tjera të botës, duke përfshirë Kroacinë, Britaninë e Madhe, Irlandën. Të gjitha këto gazeta Zëri i ka faktuar në një hulumtim disajavësh.
/Zëri/