23 Dhjetor 2024

Ministria e Shëndetësisë demanton “Lëvizjen Fol”

Prishtinë, 3 tetor - Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës shpreh keqardhjen e saj për tërheqjen e njëanshme të Organizatës Joqeveritare “Lëvizja FOL” nga Marrëveshja e Mirëkuptimit, e nënshkruar midis Ministrisë dhe kësaj organizate, më 10 qershor 2011.

MSh dëshiron të sqarojë opinionin se e ka nënshkruar një Memorandum të tillë me këtë lëvizje si shprehje e vullnetit të mirë për bashkëpunim me shoqërinë civile dhe në funksion të transparencës së plotë të veprimtarive prokurues në MSh.

Mirëpo, MSH është e befasuar me raportin amatoresk, të cilin kjo lëvizje e ka publikuar në një konferencë për media (më 2 tetor 2011), me të pavërteta dhe pasaktësi, të cilat flasin se Lëvizja FOL, nuk ka publikuar këtë raport mbi bazën e të dhënave të marra gjatë procesit të monitorimit të hapjes së tenderëve që i është lejuar në Ministri, por e ka ndërtuar atë mbi bazën e thashethemeve dhe interesave të grupeve të caktuara të interesit.

Përkundër lëshimeve që kishte ky raport i kësaj lëvizje, Ministri ia kishte dorëzuar atë Auditorit të brendshëm të MSh-së që t’i analizojë “të gjeturat” , ndërsa MSh është e befasuar me faktin se Lëvizja Fol nuk ka pritur që të marrë komentet e Auditorit të brendshëm të MSH-së, por doli në një konferencë vikendi për media, duke bërë Ministrinë të dyshojë se halli i saj nuk ka qenë bashkëpunimi dhe gjetja e mënyrave për ta përmirësuar komunikimin, por senzacioni.

Se ky raport përmban huqje të mëdha tregohet që në pretendimet e para të tij ku thuhet se “menaxhimi i depos së barnave të MSh-së bëhet nga kompania Rimed”, që është absolutisht e pavërtetë ( demantuar dje në media edhe nga vetë kjo kompani), sepse depoja menaxhohet nga MSh-ja, sikur që është i pavërtetë edhe fakti që kinse falsifikohen dokumentet për barnat që hyjnë dhe dalin në depon e MSh-së.

Lëvizja Fol, sikur të kish pasur më shumë vullnet, do të mund ta vizitonte Depon e MSh-së dhe do të mund të njoftohej se si bëhet regjistrimi i barnave aty dhe daljet, të cilat tashmë regjistrohen përmes një sistemi softuerik dhe ekzistojnë evidencat e plota për çdo bari që hyn dhe del nga kjo depo, dhe jo në mënyrën siç pretendon FOL, në bazë të gjysmë  informatave të marra në burime jo të sakta dhe të konstruktuara gabimisht.

Raporti i Lëvizje Fol vazhdon edhe me të pavërteta të tjera, siç janë pohimet se kinse Ministria i paska “shpërblyer” me tender zyrtarë të lartë të kësaj Ministrie (përmenden emra të përveçëm zyrtarësh të MSh-së, por jo edhe faktet që e vërtetojnë atë), apo se Ministria paska vazhduar t’i shpërbleje kompanitë e caktuara për furnizim me barna , edhe-pse Auditori i Përgjithshëm paska vërejtur se ato kanë sjellë barna pa afat!.

MSh sqaron opinionin se kjo Ministri i ka marrë në konsideratë vërejtjet e Auditorit dhe si rezultat i kësaj është fakti se gjatë këtij viti, MSh ka blerë barna të njëjtave lloje, në sasi të njëjta me vitin paraprak në vlerë prej mbi 4 milionë euro më lirë.

Prandaj, MSh duke respektuar, të drejtën e secilit qytetar për qasje të lirë në çfarë dokumenti apo procedure që e lejon Ligji për qasjen në dokumente publike, shpreh gatishmërinë që të bashkëpunojë me shoqërinë civile, duke tërhequr vërejtjen se raportet si ky i Lëvizjes FOL, nuk i bëjnë nder një lëvizje që pretendon se angazhohet në rritjen e transparencës së institucioneve të vendit ndaj publikut.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)