Ministri Rrahmani mori pjesë në Forumin Alpbach 2015 në Austri
Prishtinë, 27 gusht - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës dr. Imet Rrahmani mori pjesë nga data 23-25 gusht në Simpoziumin shëndetësor-Forumi Alpbach në Austri, më ftesë të Kryetarit të Forumit dr. Franz Fischler, ish-komisionar i BE-së për Bujqësi.
Gjatë qëndrimit në Austri dhe pjesëmarrjes në Forumin Alpbach, që sivjet për temë kryesore kishte çështjen e pabarazisë në sferën shëndetësore: Pabarazia shkakton sëmundje-sëmundja shkakton pabarazi, Ministri Rrahmani zhvilloi takime të shumta me zyrtarë të lartë të forumit, përfshirë kryetarin e Forumit dr. Franz Fishler, kryetarin e nderit të Forumit, dr. Erhard Busek; nënkryetaren e Forumit dr. Shmidt Erfurth Ursula; Drejtorin gjeneral të Ministrisë Federale të Shëndetësisë të Austrisë, dr. Martin Auer; si dhe me udhëheqës të tjerë të autoriteteve shëndetësore austriake dhe ekspertë të shumtë të fushave shëndetësore të Austrisë si dr. Primaria Katharina Pil; mr. Anna Parr; dr.Jurgen Wallner; dr. Michael Halmich; dr. Pilz Sigrid; dr. Hans Peter Hutter; etj.
Gjatë punimeve në sesionet plenare të forumit ku kanë marrë pjesë qindra ekspertë të fushave të ndryshme, është diskutuar për pabarazitë në shëndetësi dhe idetë e tejkalimit të tyre, ndërsa gjatë takimeve të tij me zyrtarë të ndryshëm, Ministri Rrahmani i ka njoftuar ata me zhvillimet aktuale në shëndetësinë kosovare, reformën shëndetësore, sfidat si dhe janë diskutuar, gjithashtu, mundësitë e bashkëpunimit për fusha të caktuara.
Gjatë qëndrimit në Alpbach, Ministri Rrahmani ka pasur rastin të jap një intervistë edhe për gazetën prestigjioze vjenase Die Presse.
Forumi Alpbach paraqet një platformë të diskutimit intelektual ku zhvillohet trashëgimia kulturore, shkencore dhe humanitare dhe ku promovohet integrimi evropian, ndërsa kryetari i nderit i këtij Forumi, diplomati dr. Erhard Busek ka shërbyer si Koordinator i Bashkimit Evropian për Paktin e Stabilitetit; është këshilltar i Iniciativës Ekonomikë në Kosovë që nga viti 2008, ndërkohë që gjatë mandatit të tij si Ministër i Arsimit i Austrisë, mundësoi pranimin e diplomave kosovare në shkollat austriake gjatë viteve të nëntëdhjeta.