Ministri Rrahmani do të vizitojë Shqipërinë javën tjetër

Prishtinë, 6 janar - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës Dr. Imet Rrahmani priti sot në takim Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, Qemajl Minxhozi.
Në këtë takim është biseduar për bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë midis Kosovës e Shqipërisë, me theks të veçantë zbatimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar vitin e kaluar midis dy ministrive respektive dhe zbatimit të marrëveshjes midis SHSKUK-së dhe QSUT-së për fushën e kardiokirurgjisë.
Ministri Rrahmani ka theksuar në këtë takim nevojën e intensifikimit të bashkëpunimit midis dy shteteve, sidomos në fushën e asistencës së Shqipërisë për ngritjen e kuadrit të nevojshëm në Kosovë në lëmit deficitare dhe funksionalizimin e shërbimeve deficitare, ndërkohë që Ambasadori Minxhozi ka vlerësuar lart bashkëpunimin dhe asistencën që qytetarët e Kukësit, Bajram Currit dhe të Zonës së Hasit janë duke e marrë përmes shërbimeve shëndetësore që për ta është duke i ofruar Spitali i Përgjithshëm i Prizrenit.
Ministri Rrahmani dhe Ambasadori Minxhozi kanë theksuar në këtë takim se midis Kosovës e Shqipërisë ka fusha të shumta ku mund ta ndihmojnë dy shtetet mund ta ndihmojnë njëra tjetrën, me qëllim të ngritjes së cilësisë së shërbimeve për qytetarët e dy shteteve.
Me qëllim të konkretizimit të segmenteve të caktuara të bashkëpunimit, Ministri Rrahmani do të pritet javën tjetër në Tiranë nga homologu i tij Ilir Beqaj, takim ky i cili do të jetë edhe në funksion të konkretizimit të veprimeve të përbashkëta midis dy shteteve në shëndetësi dhe gjithashtu, takim përgatitor edhe për takimin e radhës midis dy qeverive, ku një ndër temat do të jetë edhe shëndetësia.