Ministri Rrahmani bashkëbisedon me mantelbardhët në Spitalin e Gjilanit
Prishtinë, 4 mars - Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani me bashkëpunëtorë vizitoi sot Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, ku zhvilloi një bashkëbisedim të hapur me punonjësit e këtij spitali dhe vizitoi disa njësi të tij.
Në këtë bashkëbisedim, Ministri Rrahmani i informoi të punësuarit në këtë spital me reformat në sistemin shëndetësor, zhvillimet aktuale si dhe sfidat në zhvillimin e sektorit.
Duke e vlerësuar si një mundësi shumë të mirë që me ish-kolegët të bashkëbisedojë për çdo gjë me interes në shëndetësinë kosovare, Ministri Rrahmani i ka njohur punonjësit e këtij spitali me punët e kryera deri tanë në proces të funksionalizimit të sigurimeve shëndetësore. Ai tha se brenda disa javësh do të fillojë procesi i mbledhjes së premiumeve, për të vazhduar disa muaj më vonë edhe me kontraktimin e shërbimeve. \"Në këtë aspekt, janë ka kryhen përgatitjet e duhura, bashkë edhe me institucione e tjera të cilat duhet ta ndihmojnë Ministrinë në këtë proces të rëndësishëm\", tha Ministri Rrahmani.
Ai i ka njoftuar mantelbardhët në SP të Gjilanit edhe me ecurinë rreth funksionalizimit të Sistemit të Informimit Shëndetësor, ku tha se ka hapësirë për të përshpejtuar e procesin, ndërtimin dhe procesin e Odave të profesionistëve shëndetësor, përkatësisht bartjen graduale duke nisur nga qershori të disa kompetencave te odat, të cilat do të jenën në gjendje t\'i ushtrojnë fillimisht.
Ministri ka folur edhe për punën në monitorimin e zbatimit të ligjshmërisë në institucionet shëndetësore, përmes mbikëqyrjes nga Inspektorati Shëndetësor, përmirësimin e sistemit të furnizimit me barna dhe material shpenzues, reformimin e procesit të specializimeve, fillimin e procesit të hartimit te Udhërrëfyesve dhe protokolleve klinike, Ligjin për Kontrollin e Duhani, edukimin e vazhduar, bashkëpunimin me donatorët, etj.
\"Jemi të përkushtuar në të gjitha aspektet të cilat përmes ndërhyrjeve konkrete dhe mbështetjes do të ndikojnë në ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore\", tha Ministri Rrahmani.
Në emër të Spitalit të Gjilanit, drejtori i këtij Spitali, dr. Besim Guda ka falënderuar Ministrin për vizitën, ka shprehur para tij nevojat e spitalit dhe ka theksuar faktin që është inkurajues motivimi i punëtorëve për të kontribuar në ngritjen e cilësisë së shërbimeve në këtë spital.
Ministri pastaj, ka pasur diskutime të hapura me të gjithë të interesuarit në debat për të shtruar, komentuar apo këmbyer ide të ndryshme, në funksion të mbarëvajtjes së punës në spital dhe ngritjes së cilësisë së shërbimeve për qytetarët.