Ministri Gashi inkurajon thellimin e bashkëpunimit Kosovë-Turqi
Prishtinë, 22 mars - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Alush Gashi, me anëtarët e kabinetit të tij priti sot në një takim krerët e Universitetit dhe Fakultetit të Mjekësisë dhe të Edukimit Trakya nga Turqia, me të cilët është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë dhe të edukimit midis Kosovës e Turqisë.
Ministri Gashi i ka njohur delegacionin e Universitetit Trakya për Marrëveshjen e bashkëpunimit që ekziston midis Kosovës e Turqisë, e cila, sikur ka theksuar Ministri Gashi, i ka hapur rrugë bashkëpunimit institucional midis dy shteteve në fushën e shëndetësisë , sipas të cilës një numër i pacientëve kosovarë do të trajtohen në spitalet e Turqisë, këmbimin e ekspertëve dhe në edukim të vazhduar profesional.
Ministri i ka inkurajuar krerët e Universitetit Trakya që të intensifikojnë bashkëpunimin me Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës dhe me Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pasi marrëveshja midis dy shteteve ka hapur rrugën për bashkëpunim ndërshtetëror, ndërkohë që në fokus të diskutimeve të sotme kanë qenë kardiokirurgjia dhe kardiologjia, për çka ministri ka theksuar nevojën e ndihmës së Turqisë për funksionalizimin e këtyre shërbimeve edhe në Kosovë.
Ekspertët nga Turqia janë shprehur të kënaqur më mundësinë e hapur për bashkëpunim konkret dhe, sipas tyre, ky bashkëpunim mund të startojë shumë shpejt midis universitetit të tyre dhe autoriteteve shëndetësore dhe edukative të Kosovës.