25 Dhjetor 2024

Ministri Agani vizitoi Institutin e Onkologjisë

Prishtinë, 22 janar - Ministri i  Shëndetësisë  i Republikës së Kosovës Dr. Ferid  Agani, ka vizituar  Institutin  Onkologjik  të Kosovës, me ç’rast  është njohur nga afër  me punën që bëhet në këtë institucion sfidat, sukseset dhe problemet me të cilat ballafaqohet stafi dhe pacientët që kërkojnë ndihmë mjekësore.

Dr. Behxhet Osmani, UD Drejtor i Institutit Onkologjik tha se në Institutin e  Onkologjisë është bërë dhe po bëhet  punë pozitive.  “ Në vitin që lamë pas kemi pasur 24.000 vizita  mjekësore, 12.500 aplikime të  kemioterapisë, 4.000 aplikime të radioterapisë, tani punojmë 12 orë, me dy ndërrime, nga ora 7:00 deri 19” shpjegoi dr. Osmani.

Sipas tij,  në vitin 2013 janë  lajmëruar 7.300 raste të reja, ku   pacientët për aplikim të kimioterapisë nuk presin fare, përderisa për radioterapi dikur është pritur 4 muaj, tani sikurse në vendet e tjera të Evropës, pacientët presin më së shumti 4 deri 5 javë.  

Drejtori i Onkologjisë  tha se falë mbështetjes së menaxhmentit të QKUK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë është arritur të kompletohet aparatura dhe shumë shërbime, përderisa  jashtë vendi kanë  referuar vetëm 22 raste.

Ai pohoi se aktualisht nuk ofrohet vetëm shërbimi i brahiterapisë, për të cilën është bërë kërkesë për kompletim të aparaturës dhe pritet të ndodhë së shpejti.

Ministri i Shëndetësisë, Dr. Ferid Agani, përgëzoi  drejtorin dhe stafin e Institutit të Onkologjisë për punën  që kanë bërë dhe po bëjnë në të mirë të trajtimit të pacientëve.

“Kërkesat tuaja do t’i marrim me  seriozitet të madh, përgëzime, me punën tuaj  keni bërë që shumë pacientë të mos shkojnë jashtë vendi, ne bashkërisht do të arrijmë të tejkalojmë sfidat, nga ky vit do të keni mundësi të siguroni të hyra vetanake që do të jetë e mirëseardhur për ju”.

Sipas Ministrit nga ky vit institucionet shëndetësore do të kenë mundësi që vetë të menaxhojnë me buxhetin për barna, material shpenzues dhe  citostatikë.

“Në rastet kur me buxhetin e përcaktuar nuk do të ketë mundësi të sigurohen të gjitha barnat dhe materiali tjetër shpenzues, bazuar në Udhëzimin Administrativ për trajtim jashtë vendi, me rekomandim të komisionit për trajtim jashtë vendi pacientët kanë të drejtë të kërkojnë  nga Ministria të ju sigurojë citostatikët që nuk janë në Institutin Onkologjik,  për rastet që  janë në asistencë sociale do të paguaj në tërësi MSH, përderisa për rastet tjera Ministria do të paguajë 50-70%, kurse 30% paguajnë pacientët”, theksoi  dr. Agani.

Ai tha se  këta citostatikë nga MSH do të arrin në Institutin e Onkologjisë kurse  pas aplikimit të kësaj,   mjekët nuk do të kenë të drejtë të referojnë pacientët për  të blerë citostatikë në  një barnatore apo depo të caktuar.  

Dr. Nijazi Gashi, drejtor i QKUK-së, tha se Instituti Onkologjik është  krenaria e QKUK-së.  Ai  shpjegoi se ka përkrahur dhe do të përkrahë vazhdimisht Institutin e Onkologjisë, në mënyrë që  punë e stafit të jetë më lehtë dhe pacientët të marrin shërbimin e duhur.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)