Ministri Agani, vizitë zyrtare në Britani
Londër, 12 mars - Një delegacion i Ministrisë së Shëndetësisë i udhëhequr nga Ministri Ferid Agani po qëndron për një vizitë zyrtare në Britaninë e Madhe, me çrast po zhvillon takime me autoritetet e larta shëndetësore të këtij shteti.
Në ditën e parë të vizitës në Londër, Ministri Agani ka takuar Ministren e Shtetit Anna Soubry në Departamentin e Shëndetësisë me të cilën ka biseduar për mundësitë e bashkëpunimit të ndërsjellë si dhe janë dakorduar për ngritjen e grupeve te punës në funksion të konkretizimit të këtij bashkëpunimi.
Një takim tjetër është realizuar me Sir Kent Woods, Kryeshef Ekzekutiv i Agjensionit Rregullator të Barnave dhe Produkteve Mjekësore të Britanisë së Madhe (MHRA), me të cilin është nënshkruar Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet MHRA dhe Agjensionit Kosovar për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPM).
Me këtë marrëveshje lehtësohet regjistrimi i barnave dhe pajisjeve mjekësore të prodhuesve britanikë në Kosovë, duke rritur konkurrencën dhe kualitetin e këtyre produkteve në tregun kosovar farmaceutik.
Gjatë kësaj vizite në Londër, Ministri Agani ka zhvilluar një takim edhe me mjekët kosovarë që punojnë në Londër, me çrast i ka njoftuar ata për reformat që ka ndërmarrë në sektorin shëndetësor, ndërkohë që interesimi i tyre ka qenë për Ligjin e Shëndetësisë si dhe hapat e mëtejmë të reformës shëndetësore në Kosovë.
Mjekët kosovarë që punojnë dhe jetojnë në Londër kanë shprehur interesimin dhe gatishmërinë e plotë që të japin kontributin e tyre profesional në Kosovë.
Në vazhdim të vizitës në Britani të Madhe do të realizohen takime në Agjensionin Evropian të Barnave me seli në Londër, Kolegjin Mbretëror të Mjekeve të Praktikës së Përgjithshme, Spitalin Universitar të Kembrixhit dhe Spitalin Mbretëror të Liverpulit.