Ministri Agani priti Rektorin e Universitetit Nigde të Turqisë
Prishtinë, 17 prill - Ministri i Shëndetësisë prof. dr. Ferid Agani priti sot në takim Rektorin e Universitetit Nigde, Adnan Goroyr dhe një grup studentësh kosovarë të cilët studiojnë në qytetin Kale të Turqisë.
Në këtë takim, Ministri Agani dhe Rektori Goroyr kanë biseduar për vazhdimin e bashkëpunimit midis këtij Universiteti dhe institucioneve shëndetësore kosovare, në fushën e edukimit të vazhduar profesional dhe të zhvillimit të programeve të tjera nga fusha e mjekësisë.
Ministri Agani ka falënderuar Rektorin e Universitetit Nigde për mundësitë që u ka krijuar studentëve nga Kosova që të ndjekin zhvillimin profesional.
Nga ana e tij, Rektori Goroyr tha se këtë studentë që janë një pasqyrë e mirë e shtetit të Kosovës dhe të tjerët që do të studiojnë në këtë universitet do të jenë ura të mira të bashkëpunimit midis shtetit të Kosovës dhe atij të Turqisë, me që theksoi ai, mundësitë e bashkëpunimit midis dy vendeve në fushën e shëndetësisë dhe të arsimit janë të jashtëzakonshme.
Në tetor të vitit të kaluar ndërkaq, Ministri Agani është nderuar nga Universiteti Nigde me titullin e nderit Doctor Honoris Causa dhe nga Kuvendi Komunal i qytetit të lashtë Kale, me titullin Qytetar Nderi për kontributin e tij dhënë ndërtimit të marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Turqisë dhe Republikës së Kosovës, veçanërisht në sektorin e shëndetësisë.