Ministri Agani po qëndron për një vizitë zyrtare në Suedi
Stokholm, 16 tetor - Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani se bashku me sekretarin e Përgjithshëm Gani Shabani, drejtorin e QKUK-së, Nijazi Gashi dhe Komisionin Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale që po përfaqësohet nga kryetari i saj Fikrim Damka, po qëndron për një vizitë zyrtare disa ditore në Suedi.
Në fillim të kësaj vizite, Ministri Agani dhe delegacioni nga MSh-ja, u pritën nga Ministri i Shëndetësisë i Suedisë, Goran Hagglund dhe anëtarë të kabinetit të tij.
Në këtë takim ka marrë pjesë edhe Ambasadori i Kosovës në Suedi, z. Lulzim Peci.
Në këtë takim është biseduar për bashkëpunimin midis Suedisë dhe Kosovës në fushën e shëndetësisë, me theks të posaçëm në përvojat suedeze në fushën e reformës së organizimit të shërbimeve shëndetësore dhe menaxhimit të këtyre shërbimeve, si dhe tema të tjera që lidhen me fillimin substancial të reformës shëndetësore në Kosovë.
Pas këtij takimi me Ministrin e Shëndetësisë të Suedisë, delegacioni i MSh-së do të ketë edhe disa vizita studimore dhe takime pune në spitalet universitare në Linkoping dhe Norrkoping, me zyrtarë të lartë të tyre, për të parë diferencat në menaxhimin e strukturave shëndetësore dhe shërbimeve të mbrojtjes shëndetësore të rajonit të Osterrgotland.
Gjatë kësaj vizite në Suedi, delegacioni i MSh-së pritet të ketë takime edhe me Ministrin për Punë të Jashtme të Suedisë, Gunuilla Carlsson, , zyrtarë të lartë të Bordit Nacional për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale dhe Asociacionin Suedez të Autoriteteve Lokale dhe Regjionale.
Kjo vizitë e delegacionit të MSh-së në Suedi, po realizohet me ftesë të Këshillit Regjional të Ostergotlandit Programi Ndërkombëtar Mjekësor, IMP.