Ministri Agani për vizitë zyrtare në Slloveni
Prishtinë, 19 shtator - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani, po kryeson një delegacioni të Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Kosovës, i cili filloi sot një vizitë dy ditore në Ministrinë e Shëndetësisë të Republikës së Sllovenisë.
Në fillim të kësaj vizite, Ministri Agani u prit nga homologu i tij slloven, Mr. Dorijan Marusic me bashkëpunëtorë.
Në këtë takim miqësor u këmbyen informata mbi aktualitetet e shërbimeve shëndetësore në të dy vendet dhe u shqyrtuan mundësitë për bashkëpunim të rregullt.
Gjatë vizitës dy ditore delegacioni nga Kosova do të njoftohet me aspektet e ndryshme të funksionimit të sistemit shëndetësor në Republikën e Sllovenisë si dhe do të vizitojë institucionet kryesore shëndetësore të këtij sistemi: Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, Institutin e Shëndetit Publik, Qendrën Klinike Universitare të Sllovenisë, Odën e Mjekëve slloven dhe kompaninë farmaceutike Krka.
Gjatë takimit, Ministri Agani e ftoi Ministrin Marusic që të vizitojë Republikën e Kosovës në të ardhmen e afërt.