Ministri Agani paralajmëron Strategji kundër kancerit
Prishtinë, 5 maj - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani, paralajmëroi sot në një konferencë për media se kjo Ministri do ti qaset në mënyrë sistematike ballafaqimit me sëmundjen e kancerit në Kosovë dhe në këtë aspekt, do të fillojë përpilimi i Strategjisë për ballafaqimin me kancerin.
Këtyre ditëve do të krijojë Grupin e punës, i cili do të nis punën për krijimin e regjistrit të kancerit dhe Strategjisë, bazuar në kriteret e OBSH-së dhe rrethanat ekonomike e sociale që ekzistojnë në Kosovë dhe ku parime kryesore të kësaj strategjie do të jenë parandalimi, diagnostikimi i hershëm dhe aplikimi i skrining vizitave sistematike për të parandaluar kancerin, me theks të veçantë kancerin e gjirit dhe kancerin e qafës së mitrës, tha Ministri Agani.
Ai i bëri këtë paralajmërim në një konference për media, në të cilin bashkë me Koordinatorin Kombëtar për Zhvillimin e Programit kundër Kancerit, dr. Elvis Ahmeti dhe kryesinë e Shoqatës së Onkologëve të Kosovës, të kryesuar nga dr. Besim Sllamniku, është folur për situatën sa i përket kancerit në Kosovë, hapat e ndërmarrë deri më tani për ballafaqim me këtë sëmundje, por edhe për vështirësitë, të cilat sikur u theksuan në konferencë janë të mëdha.
Ministri Agani theksoi se lufta deri tash kundër kancerit në Kosovë ka qenë e fragmentuar për shkak të mungesës së politikave të qarta, ka pasur mungesa ekstreme të resurseve financiare për ballafaqim me problematikën, por edhe mungesë të resurseve humane profesionale, sikur që një prej të metave të mëdha është edhe mungesa e të dhënave të sakta sa i përket numrit të prekurve dhe kancer regjistrit në Kosovë.
Mungesa e mjeteve financiare dhe mungesa edhe e kancer regjistrit, nuk është problem vetëm për Kosovën, por edhe për shumë vende të rajonit e botës, theksoi Ministri Agani, duke përmendur edhe Institutin Onkologjik, ku është harxhuar energji e madhe dhe rezultatet aty nuk janë ato për të cilat është investuar.
Megjithatë, ai ka theksuar se aplikimi i centralizuar i kimioterpaisë aty, është një hap i mirë dhe do të shikohen të gjitha mundësitë, edhe forma e partneritetit publiko privat, që Instituti të funksionalizohet në tërësi dhe në Kosovë të aplikohet radioterapia në sektorin publik.
Ne jemi duke u marrë më këtë problematikë , sepse MSh i jep rëndësi të madhe kategorisë së të prekurve nga kanceri, duke ndarë nga buxheti i saj total për citostatikë ¼, që megjithatë nuk mjafton, theksoi Ministri Agani.
Dr. Elvis Ahmedi tha se përpjekjet e Kosovës për të filluar me hartimin e regjistrit të kancerit koincidojnë me një numër vizitash që ai me ekipin e tij kanë zhvilluar në SHBA në shumë institute onkologjike dhe në këtë aspekt, ai përmendi që Kosova është pjesë e një granti të shtetit amerikan për zhvillimin e regjistrit të kancerit.
Neve si Kosovë na është dhënë afat që deri në qershor të vitit 2012 ta përfundojmë kancer regjistrin, ku kemi edhe ndihmën e OBSH-së, por do të jemi shumë më strikt në këtë aspekt, dhe këtë do të bëjmë deri në fund të këtij viti, që ta përfundojmë këtë tregim, tha dr. Ahmedi.
Kurse dr. Besim Sllamniku, theksoi se Shoqata e Onkologëve të Kosovës është bërë tashmë anëtare e Asociacionit Mediteran të Onkologëve dhe bashkë me MSH-në, në partneritet të ngushtë, do të ndihmojë në hartimin e regjistrit dhe strategjisë kundër kancerit.
Ai ka paralajmëruar se më 2012 në Kosovë do të mbahet Kongresi i tretë ndërkombëtar kundër kancerit, ndërkohë që ka theksuar se shoqata do të ndihmojë edhe në promovimin e atyre parimeve që ndihmojnë në luftën sa më efikase kundër kësaj sëmundje shumë problematike.