Ministri Agani hapi panairin shëndetësor në Bursa të Turqisë
Bursë, 23 shkurt - Me ftesë të prefektit të Bursës në Turqi, Sahabettin Harput dhe kryetarit të Shoqatës së Shëndetësisë së Bursës, dr. Mustafa Esgin, Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani hapi sot Panairin e pajisjeve mjekësore në Bursa të Republikës së Turqisë.
Në fjalën e tij në hapje të këtij panairi, Ministri Agani theksoi bashkëpunimin në rritje ndërmjet MSh së Kosovës dhe MSh së Turqisë si dhe mundësinë për rritje të këtij bashkëpunimi përmes projekteve konkrete të bashkëpunimit, të cilat do të diskutohen në takimin midis dy ministrave të shëndetësisë.
Ministri Agani, theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi, duke pasur parasysh edhe lidhjet familjare që ekzistojnë midis dy popujve si dhe interesin e madh të komunitetit shqiptar dhe atij turk me prejardhje nga Kosova për të investuar në vendlindje.
Ministri Agani vazhdon vizitën e tij Turqi dhe nesër do të takohet me Ministrin e Shëndetësisë të Republikës së Turqisë, Rexhep Agdag.