Ministri Agani diskuton nevojat e personave me aftësi të kufizuara
Prishtinë, 18 maj - Me iniciativë të tij, Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani, zhvilloi sot një tryezë diskutimi me përfaqësues të organizatave jo qeveritare (OJQ), që mbrojnë interesat e personave me aftësi të kufizuara.
Në takim ka marrë pjesë edhe z. Habit Hajredini, shef i Zyrës për Qeverisje të Mirë në nivel të Kryeministrisë.
Në këtë debat, Ministri Agani, i ka njoftuar ata me ndryshim- plotësimet që po bëhen në Ligjin e Shëndetësisë për ofrimin e shërbimeve shëndetësore për personat me aftësi të kufizuara si dhe procesin e hartimit të Ligjit të Sigurimeve Shëndetësore, dy këto ligje bazë të reformës në shëndetësi, bashkë me Ligjin për Pajisje dhe Produkte Mjekësore, i cili gjithashtu është në proces të ndryshimit të tij.
Ministri Agani tha se parimet kryesore të cilat do të mbizotërojnë në këto ligje do të jenë qasja e barabartë dhe pa diskriminim për të gjithë kategoritë shoqërore në shërbimet shëndetësore të vendit dhe nevojat që kanë.
Këto ligje duhet të reflektojnë patjetër nevojat e kategorisë së personave me aftësi të kufizuara dhe ato objektiva të reflektuara edhe në Planin Nacional për përkujdesje për personat me aftësi të kufizuar , ka thënë ministri Agani, duke kërkuar nga pjesëmarrësit që të japin pa asnjë rezervë komentet, vërejtjet dhe propozimet e tyre në Ligjin e ri për Shëndetësinë, që ndodhet në fazë drafti.
Gëzim Abazi, kryetar i Shoqatës Handicap Kosova, ka falënderuar ministrin Agani për qasjen e afërt dhe korrekte ndaj kësaj kategorie, duke theksuar nevojën e fuqizimit të komunitetit me aftësi të kufizuara.
Përfaqësuesit e të gjitha shoqatave pjesëmarrëse në debat kanë shprehur nevojat e tyre që duhet të reflektojnë në ligje dhe kanë mirëpritur vendimin e Qeverisë për zyrtarizmin e gjuhës së shenjave, ndërkohë që Ministri Agani ka thënë se është shumë e rëndësishme që në adresimin e sfidave të këtij komuniteti, të punohet bashkë.