30 Dhjetor 2024

Metodë e re trajtimi për kancerin e trurit

Washingtnon, 11 gusht - Studiuesit në Universitetin e Karolinës së Veriut po i shndërrojnë qelizat e lëkurës në qeliza embrionale dhe po i mbushin me ilaçe kundër kancerit për t’i përdorur në luftën kundër tumoreve të trurit.

Por përveç shndërrimit të qelizave, edhe një metodë e re për futjen e tyre në orgaanizimin e njeriut, premton për të gjetjen e një trajtimi të mundshëm në të ardhmen.

Dr. Shawn Hingtgen, ndihmës profesor në Fakultetin e Farmacisë Eshelman të Universitetit të Karolinës së Veriut thotë se objektivi i tyre kryesor është Glioblastoma, ose GBM.

“Është një formë shumë e rëndë kanceri. Vetëm për të kuptuar sesa e vështirë është që të trajtohet kjo sëmundje, jetëgjatësia për pacientët me GBM është vetëm rreth 12-15 muaj dhe se fatkeqësisht kjo shifër pothuajse nuk ka ndryshuar në 30 vjetët e fundit, prandaj ne mendojmë se duhet të ketë një mënyrë më e mirë për të trajtuar këtë sëmundje”, thotë Dr. Hingtgen, i cili merret kryesisht me terapi të mbështetura tek qelizat bazë.

Standardi aktual i trajtimit për Glioblastoma-n parashikon operacion, kemoterapi dhe rrezatim, thotë ai.

Shoqata Amerikane e Tumorit të Trurit thotë se tumoret e lidhura me GBM-në “janë zakonisht shumë agresivë”, për shkak të përqindjes së lartë të riprodhimit të qelizave.

Në laboratorin e Dr. Hingtgen, studiuesit po bëjnë kërkime mbi bazat e punës së nobelistëve Sir John B. Gurdon dhe Shinya Yamanaka që zbuluan se qelizat e rritura mund të shndërrohen në qeliza me cilësitë e atyre embrionale. Studiuesit e përdorën këtë metodë tek minjtë.

“Fillimisht ne shndërruam qelizat e lëkurës në qeliza embrionale tek minjtë, duke i kthyer ato në një gjendje neurale në mënyrë që të ishin të ngjashme biologjikisht me qelizat bazë të trurit. Puna laboratorike tregoi se mund t’i përdornim këto qeliza të përftuara nga lëkura për të trajtuar kancerin e trurit”, tha dr. Hingtgen.

Për këtë projekt, kontribuoi edhe Departamenti i Shkencave dhe Inxhinierisë Materiale në Universitetin Shtetëror të Karolinës së Veriut, ku profesore Elizabeth Laboa krijoi një teknologji të re për të ndihmuar Dr. Hingtgen dhe ekipin e tij që të fusin qelizat embrionale tek truri i pacientit.

Më parë, siç shpjegon Hingtgen qelizat embrionale injektoheshin por shumë prej tyre shkëputeshin gjatë operacionit dhe rezultonin joefektive.

Por teknologjia e re funksionon si një skelë që imiton rrjetin e qelizave të jashtme të trurit dhe i thith qelizat embrionale.

Dr. Julio Rodriguez-Bago, një bashkëpunëtor kërkimor që punon me dr. Hingtgen thotë se kjo teknologji është pjesa më novatore e studimit.

“Kjo mënyrë e rrit jetëgjatësinë e qelizës në trupin e pacientit. Mendoj se kjo është diçka e re sepse bën të mundur përfshirjen e shndërrimit të indeve që deri më sot ishte përdorur për rigjenerimin e qelizave apo indeve, në trajtimin e kancerit, Kurrë më parë nuk është përdorur një metodë e tillë”.

Dr. Hingtgen thotë se kur arritën që të vendosin me sukses shtresën me qeliza embrionale, ata vunë re përparim.

“Në provat tona fillestare, arritëm të zgjasim jetëgjatësinë e minjve me tumore në tru nga 25 ditë në 65 ditë. Prandaj mendoj se kjo metodë është e realizueshme. Duket se është e sigurt dhe çka është më e rëndësishme mendoj se mund të fillojmë ta çrrënjosim këtë sëmundje. Mendoj se i hap rrugën një terapie vërtet të rëndësishme klinike për të kuruar kancerin e trurit”, thotë Dr. Hingtgen.

Ai thotë se provat klinike mund të fillojnë brenda dy vjetësh.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)