Me ligjin e ri, punëtorët shëndetësor nuk punojnë më në dy institucione
Prishtinë, 8 korrik - Me ligjin e ri për shëndetësinë, i cili është miratuar në parim nga Parlamenti, ndalohet ushtrimi i profesionit shëndetësor në dy institucione shëndetësore njëkohësisht.
Mantel-bardhët do të punojnë ose në sektorin privat ose në atë publik. Kjo ka sjell pakënaqësi te punëtorët shëndetësor, por me këtë ligj edhe vetë ministri nuk do të mund ti ushtrojë dy profesione.
Me ligjin për shëndetësi, përkatësisht në nenin 41, punëtorët shëndetësor nuk do të mund të punojnë më në dy institucione shëndetësore. Ata do të përcaktohen nëse do të punojnë në sektorin publik apo vetëm në atë privat. Këtë e konfirmon, Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, sipas të cilit në këtë mënyrë do të parandalohet korrupsioni brenda sistemit shëndetësor.
Ndalesa e punës njëkohësisht në sektorin publik dhe në atë privat është njëra prej ndryshimeve që do të sjell ligji dhe një ndryshim i cili do të prek drejtpërdrejt shumë punëtorë shëndetësor, jam shumë koshientë për ngarkesën e peshës e cila bie mbi ta por është moment kur ne duhet të përcaktohemi qartë për ndryshime konkrete si në raportin ndaj pacientit si në raportin ndaj institucionit publik si në raportin me vetveten në të tri rrafshet ka anomali, tha Agani për Radion Blue Sky.
Kjo ka sjell pakënaqësi te mjekët, specialistët e infermierët. Kreu I Federatës së Sindikatave Shëndetësore të Kosovës, Blerim Syla konsideron se kjo është e padrejtë, meqë cenohet ushtrimi i lirë I profesionit. Madje, neni 41 i ligjit për shëndetësinë bie ndesh me ligjin e punës.
Kjo në fakt bie ndesh me dy paktet ligjore në Kosovë . E para bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe dy me ligjin e punës. Në të parën të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit, dhe e dyta ligji mbi punën, nuk e ndalon punën pas orarit zyrtarë. Punëtorët shëndetësor me mjaft indinjatë e kanë pritur këtë nen, tha Syla.
Projektligji për shëndetësinë, në rast se kalon edhe shqyrtimin e dytë në Kuvend, planifikohet të hyjë në fuqi në vitin e ardhshëm.
Dhe, me zbatimin e tij madje edhe vet ministri Ferid Agani do të duhej të përcaktohej, nëse do të udhëheq Ministrinë e Shëndetësisë ose të punojë si mjek në institucionin privat studio-Agani.