Me 1 qershor mbahet konferenca mbi shëndetin dhe të drejtat e fëmijëve
Prishtinë, 28 maj - Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore (QHPSM) më 1 dhe 2 Qershor organizon konferencën e parë ndërkombëtare mbi shëndetin, mirëqenien dhe të drejtat e fëmijëve.
Ndërsa në kuadër të Konferencës më 31 Maj do të paraprijnë shtatë punëtori. Konferencë kjo e akredituar nga Oda e Infermierëve të Kosovës.
Fëmijët e të sotmes janë trashëgimtarët e të nesërmes, andaj duke tentuar përfshirjen e drejtpërdrejtë të tyre dhe duke thyer kornizat e konferencave tipike shkencore vetëm me hulumtime, kjo konferencë do përmbajë: Një tryezë diskutimi me politikëbërës dhe pjesëtarë të shoqërisë civile, 5 fjalime kyçe nga profesionistë të dalluar të shkencave sociale dhe shëndetësore, 15 poster prezantime, 35 prezantime orale, kuiz me fëmijë të pesë shkollave fillore dhe 4 fjalime inspiruese nga fëmijë.
Konferenca do të nderohet edhe me fjalimet hyrëse të politikë-bërësve në Kosovë: Ish-presidentja Atifete Jahjaga, Kujtim Gashi Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kryetar i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti dhe Nënkryetar i Komunës së Prishtinës Selim Pacolli.
Të gjitha këto aktivitete në lidhje me të drejtat, shëndetin e mirëqenien e fëmijëve në mënyrë që të arrihen qëllimet e pëgjithshme të Konferencës:
- Promovimi i shëndetit të fëmijëve - Kontribut në përmisimin dhe ngritjen e vetëdijes për rëndësinë dhe sfidat e shëndetit të fëmijëve - Promovimi i mirëqenies dhe të drejtave të fëmijëve - Krijimi i një forumi diskutimi ku do të vendoset theksimi i politikave potenciale për përmisimin e situatës aktuale në këto tri fusha - Inkurajimi i bashkëpunimit ndërmjet hartuesve të politikave dhe hulumtuesve për të përmisuar të situatës aktuale në këto tri fusha - Inkurajimi i modeleve më të mira të prindërimit - Nxitja e debatit shkencor - Inkurajimi i bashkëpunimit ndërmjet hartuesve të politikave dhe hulumtuesve për të përmisuar fushën e shkencave shëndetësore
Konferenca ka gjetur mirëkuptim dhe bashkëpunim prej institutcioneve shtetërore, shoqërisë civile dhe bizneseve të ndryshme, si: Ministria e Kulturës, Komuna e Prishtinës, Rotary Club Kosova, SOS Fshati, Departamenti i Psikologjisë së Universitetit të Prishtinës, Oda e Infermierëve të Kosovës, Translation Center, Meridian Express, Ecuador’s Best Roses, Libraria Dukagjini, Kosovo Experts Group, Hotel Sirius, Shoqata Autizmi Flet, Shoqatën Kosovare të Autizmit, Down Syndrome Kosova, Orion Center, Zyra e Bashkimit Evropian, Qendra për Informim dhe Përmisim Social, Peer Education Network, Qendra për Shërbime Humane dhe Zhvillim, Adoleshentët Kosovarë, Kosova Population Foundation-KOPF, Kompania ‘’Gashi’’, Oxygen Show.
Gjashtë punëtoritë kanë për qëllim sigurimin e një forumi shkencor ku profesionistët, prindërit, edukatorët dhe studentët do të angazhohen në diskutimin më të gjerë dhe të drejtpërdrejtë në lidhje me sfidat dhe përspektivat e shëndetit, mirëqenies dhe të drejtave të fëmijëve. Temat dhe drejtuesit e këtyre punëtorive janë si në vijim:
1. Down Syndrome Kosova (DSK): ‘’Sindroma Down: Njohuria dhe Qasja’’ 2. Qendra për Informim dhe Përmisim Social (QIPS): ‘’Inteligjenca Emocionale dhe Ndikimi që ka në jetën e përditshme’’ 3. Dardan Velijaj:’’Vendimmarrja, të mësuarit dhe këndvështrimi për jetën tek fëmijët’’ 4. Qendra për Shërbime Humane dhe Zhvillim: ‘’Zhvillimi në Fëmijërinë e Hershme’’ 5. PEN: ‘’Ndikimi i ngacimeve (bullying) dhe konfliktit në mirëqenien e fëmijëve dhe parandalimi i tij‘’ 6. European Federation of Psychology Students' Associations në bashkëpunim me Qendrën për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore: ‘’Mind the mind’’ 7. Migjen Amzai:’’Mendja e madhe në një trup të vogël-Body Terapia e fëmijës’’
Konferenca do të ketë orientim drejt të ardhmes dhe gjetjes së metodave të përshtatshme dhe fleksibile që do të lehtësonin ndryshimet rrënjësore në cilësinë e shërbimeve shëndetësore dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve. Identifikimi i pikave kyçe të fokusit dhe identifikimi i nevojave më imediate të fëmijëve do të jetë një tjetër rezultat që do të tentojmë ta nxjerrim nga kjo konferencë.