Mbi 50 operacione në kuadër të javës së Shëndetësisë Kosovë-Turqi
Prishtinë, 4 tetor - Në kuadër të bashkëpunimit të ekspertëve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe atyre nga Turqia, i cili është realizuar gjatë javës së Shëndetësisë Kosovë-Turqi, janë kryer mbi 50 operacione, 7 kateterizime, 6 stenta, 8 koronarografi, 127 vizita mjekësore, 139 shkëmbime mendimesh dhe trajnime e seminare të ndryshme për stafin.
Në përmbyllje të këtij aktiviteti, Zëvendës Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Dr. Kadir Hyseini, tha se bashkëpunimi ka qenë i frytshëm dhe është realizuar në kuadër të reformave dhe bashkëpunimit me shtetet tjera që është duke realizuar Ministria e Shëndetësisë.
Qëllimi i bashkëpunimit është shkëmbimi i përvojave mes mjekëve tanë dhe atyre nga Turqia dhe ky bashkëpunim është realizuar me sukses deklaroi ai. Sipas tij, bashkëpunimi do të vazhdoj edhe në ardhmen, ku mjekët nga Kosova do të kenë mundësi të shkojnë për edukim të vazhdueshëm në Turqi.
Kjamuran Ozdemir nga Ministria e Shëndetësisë të Turqisë u shpreh i kënaqur me mikpritjen, bashkëpunimin dhe profesionalizimin e treguar nga stafi shëndetësorë në Kosovë. Jam shumë i kënaqur me atë që kemi bërë në Kosovë. Kosova ka mjekë dhe ekspertë të mirë dhe shteti turk do ti mbështesë ata me edukim të vazhdueshëm profesional që do tua mundësoi ta realizojnë në Turqi, u shpreh ai.
Ai tha se të gjitha këto shteti turk po i ofron pa pasur interes material, përveç ndihmesës që po japë për shëndetësinë dhe pacientët nga Kosova.
Në anën tjetër, Dr. Nijazi Gashi, drejtor ekzekutiv i QKUK-së, theksoi se ndihmesa nga Turqia ka qenë e mirëseardhur për QKUK-në, meqë bashkë me ekspertët është sjellë edhe materiali shpenzues i nevojshëm për kryerjen e intervenimeve.
Ndihmesa ma e madhe ka qenë edhe sjellja e materialit shpenzues, meqë në shumë raste ai material është specifik dhe nuk mund të blihet në Kosovë, theksoi ai.
Zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës, Qendrës Klinike Universitare dhe Ministrisë së Shëndetësisë së Turqisë, premtuan vazhdim të bashkëpunimit në formë të trajnimit dhe edukimit të vazhdueshëm profesional për stafin e QKUK-së.