26 Dhjetor 2024

Mbi 4,000 të vdekur nga koronavirusi në SHBA

Washington, 1 prill - Numri i të vdekurve nga koronavirusi në SHBA ka tejkaluar shifrën 4.000, tregojnë të dhënat e publikuara sot nga Universiteti "Johns Hopkins".

Të dhënat e Universitetit Johns Hopkins në SHBA tregojnë se 4,076 amerikanë kanë vdekur nga COVID-19 dhe zyrtarë të shëndetit publik paralajmërojnë se kjo shifër mund të arrijë deri në 240,000.

Të dhënat e reja erdhën disa orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump paralajmëroi se dy javët e ardhshme do të jenë "shumë të dhimbshme" për SHBA-të për sa i përket vdekjeve nga koronavirusi.

Duke folur në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë, Trump u bëri thirrje amerikanëve të përgatiten "për ditë të vështira", dy ditë pasi tha se nëse arrijmë të mbajmë numrin e të vdekurve në SHBA nga COVID-19 midis 100 mijë deri në 200 mijë do të ishte një "punë e mirë".

"Unë dua që çdo amerikan të jetë i përgatitur për ditët e vështira që na presin. Ne do të hyjmë në dy javët shumë të vështira", tha Trump.

"Këto dy javë do të jenë shumë të dhimbshme", tha ai.

Gjatë konferencës, mjekja Deborah Birx që drejton ekipin kundër koronavirusit të Shtëpisë së Bardhë, prezantoi një model për numrin e mundshëm të vdekjeve nga sëmundja në SHBA.

Ajo shtoi se midis 100 mijë deri në 240 mijë njerëz mund të vdesin nëse SHBA ndjek udhëzimet për distancën shoqërore dhe shëndetin publik.

Nëse nuk bëhen ndërhyrje, modeli tregon prej 1.5 deri në 2 milionë vdekje në vend.

Administrat e Trumpit vazhdoi masën e distancës shoqërore deri më 30 prill për të frenuar përhapjen e koronavirusit, duke ndryshuar qëndrimin e tij për rihapjen e vendit për biznes me festën e Pashkëve më 12 prill.

SHBA është kthyer në vendin me numrin më të madh të rasteve të konfirmuara me koronavirus, e ndjekur nga Italia, Spanja dhe Kina, ku virusi u shfaq për herë të parë në qytetin kinez Wuhan në dhjetor 2019. Që nga ajo kohë Covid-19 është përhapur në 200 vende dhe rajone të botës.

Numri i të prekurve nga koronavirusi në botë ka arritur në 859.796, me 42.341 të vdekur, njofton Universiteti "Johns Hopkins". Ndërsa në total 178.301 persona janë shëruar nga sëmundja.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)