Mbahet simpoziumi shkencor nga Urodinamika pediatrike
Prishtinë, 22 prill - Organizuar nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës-Klinika e Kirurgjisë së Fëmijëve, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Klinikën e Kirurgjisë së fëmijëve të Klinikes Universitare te Linkopingut- Suedi, sot në Qendrën e Telemjekësisë së Kosovës në Prishtinë, i filloi punimet Simpoziumi shkencor nga problematika e urodinamikës pediatrike dhe trajtimi i Refluksit Vesicouretral, me metodën e injektimit të Deflux-sit.
Ky simpozium u organizua me pjesëmarrjen e ligjëruesve ndërkombëtar nga lëmi i kirurgjisë së fëmijëve, respektivisht të 3 profesorëve eminent të Universitetit të Linkopingut nga Suedia: Prof. Dr.Sven Mattsson, Prof.Dr .Peder Drott, PhD. Gunilla G-Mattsson.
Ministri i Shëndetësisë Prof. Dr. Ferid Agani duke përshëndetur profesorët nga Suedia dhe pjesëmarrësit e tjerë, tha se simpoziumet e këtilla e kanë rëndësinë e veçantë për MSh-në dhe profesionistët shëndetësor të vendit, sepse paraqesin një kontribut të drejtpërdrejt në ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe justifikimin e rolit të profesionistëve para pacientëve.
Duke folur për sfidat që shtrohen para profesionistëve shëndetësor Ministri Agani tha se me miratimin e Ligjit të Shëndetësisë, i cili kaloi edhe sprovën e Gjykatës Kushtuese, punëtorët shëndetësor do të kenë pavarësinë e tyre për të vepruar dhe fuqizuar rolin e tyre, duke qenë se më nuk do të jenë shërbyes civilë, por nëpunës publikë dhe përmes punës së tyre do të jenë në gjendje të gjenerojnë të hyra që përmirësojnë edhe më tej pozitën e tyre dhe kësisoj mund të ndikojnë edhe në ngritjen e cilësisë së shërbimeve. Këtë, theksoi, Ministri, do tua mundësojë Ligji i ri që u jap shkallë të lartë të autonomisë për ta ushtruar në mënyrë profesionale profesionin e tyre që për rezultat do të këtë cilësinë e shërbimeve dhe një satisfaksion më të lartë për pacientët.
Prof. Dr. Nexhmi Hyseni, drejtor i Klinikës së Kirurgjisë së fëmijëve në QKUK, tha se Simpoziumi shkencor nga problematika e urodinamikës pediatrike dhe trajtimi i Refluksit Vesicouretral, me metodën e injektimit të Deflux-sit, metodë kjo qe ka eliminuar operacionet e hapura tek fëmijët me këto anomali, është një moment i rëndësishëm për profesionistët shëndetësor nga fusha përkatëse në Kosovë dhe një mundësi që ata të përvetësojnë njohuri për trajtimin multidiciplinar të këtyre patologjive, me ndihmën e ekspertëve eminentë nga Suedia.
Në këtë simpozium u prezantuan disa tema nga Problematika e urodinamikës, e cila nuk është trajtuar deri më tani në Kosovë, derisa rastet e para të cistometrisë kanë filluar të bëhen vitin e kaluar.
Ndërkohë që gjatë tërë kësaj jave, ekipi i profesorëve nga Suedia me ekipet vendore do të vazhdojnë trajtimet në raste të tjera nga fusha e cistometrisë.
Ky bashkëpunim plotëson një mungesë të madhe të këtij ekzaminimi të domosdoshëm të anomalitë kongjenitale të disfunksionit të vezikës urinare dhe eneurezes nocturna.