Mbahet simpoziumi ndërkombëtar i shkencave shëndetësore

Prishtinë, 3 shtator - Nga një hulumtim i zhvilluar me 52 mjekë në Kosovë, gjatë ushtrimit të profesionit të tyre, del në pah që rreth 30% e mjekëve familjarë nuk bëjnë fare përpjekje për të krijuar një raport të shëndoshë terapeutik për pacientin, duke mos i uruar madje as mirëseardhje atij, duke u treguar indiferent apo duke u sjellë shumë ftohtë dhe në mënyrë zyrtare me të - kjo është gjendja e shëndetësisë në Kosovë.
A mund të ndryshohet diçka? A mund të mësojmë dhe nxitemi për ndryshim nga praktikat e vendeve të zhvilluara?
Rezultatet e hulumtimit të sipërcekur si edhe të 24 hulumtimeve të tjera, bashkë me trajtimin e temës Sfidat e transferit të praktikave të suksesshme në Shkencat Shëndetësore do të prezantohen dhe diskutohen në Simpoziumin e Pestë Ndërkombëtar të Shkencave të Shëndetësore, që organizohet nga Instituti i Evropës Juglindore për Avancime në Shëndetësi dhe Infermieri (IEJL-ASHI) dhe BprAL QEAP-HEIMERER, nën Patronatin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Arsimit. Referues në Simpozium do të jenë edhe 6 Profesorë Doktorë nga Univeristete të ndryshme në Gjermani.
Prezenca e mediave në këtë Simpozium krucial për Shkencat Shëndetësore, i vetmi i llojit të tillë në Evropën Juglindore, do ti kontribuojë sensibilizimit të qytetarëve dhe vendimmarrësve shtetërorë për përmirësimin dhe avancimin e sistemit shëndetësor dhe shkencave shëndetësore në Kosovë.