Mbahet gala mbrëmje humanitare për shëndetin e nënës dhe fëmijës
Prishtinë, 7 nëntor - Fondacioni humanitar Aksioni për Nëna dhe Fëmijë, nën mbështetjen e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, organizoi Gala Mbrëmjen Humanitare me qëllimin kryesor të shpëtojë jetën e fëmijës, të mbajtur më 5 nëntor 2014 në Prishtinë.
Nga kjo Gala Mbrëmje Humanitare, fondacioni ka arritur të mbledh 16,650 Euro fonde këto te cilat do të mundësojnë realizimin e misionit të Aksionit për Nëna dhe Fëmijë, i cili zhvillon programe të qëndrueshme shëndetësore në formë të furnizimit me medikamente, sigurimit të pajisjeve, hulumtimeve dhe trajnimeve edukative shëndetësore për klinikat e gjinekologjisë, neonatologjisë dhe pediatrisë në Republikën e Kosovës.
Që ky fondacion të vazhdojë të shpëtojë jetën e fëmijës dhe nënës vitet në vazhdim, nevojitet përkrahje dhe donacion i qëndrueshëm për çka edhe u organizua kjo mbrëmje.
Në këtë mbrëmje, drejtuesit më të lartë të Aksionit për Nëna dhe Fëmijë falenderuan bizneset kosovare, partnerët dhe miqtë e tyre, që me gjithë vështirësitë e shumta nuk hezituan të kontribuojnë në këtë mbrëmje.
Në të njëjtën kohë u potencua që vazhdimi i misionit do të bëhet me përkushtim e transparencë ndaj tyre.
Ndër kompanitë që kontribuan në këtë mbrëmje ishin: Bechtel Enka, Paper Communications, VM3 (sponsor platinum), Laboratori Prolab, RTV 21 (sponsor të artë), Baker Tilly Kosovo, HIB Petrol, Limak Kosovo, Meridian Corporation (sponsor të argjendtë), Albi Group, AUK, Finca, Intercoop Group, Ipko, KEP, Koslabor, NLB Prishtina, Pestova, Railtrans, Z Mobile (sponsor të rregullt).
Kjo mbrëmje u mbështet edhe nga Ambasada e Shqipërisë, Ambasada e Norvegjisë, AMM, Area Support Team Balkans, BlaueBlume, CEED Kosovo, ICK, Ipko Foundation, KEIS, ProCredit Bank, RC Cola, ShKÇAK dhe TEB.
Aksioni për Nëna dhe Fëmijë do të vazhdojë me inicativa të tilla për ngritje fondesh për të zhvilluar programe shëndetësore për fëmijët dhe nënat dhe ndihmuar këto klinika.