Mbahen zgjedhjet për Kuvendin e Odës së Infermierëve të Kosovës
Prishtinë, 13 janar - Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani me bashkëpunëtorë vizitoi sot paradite dy qendra votimi të kandidatëve për zgjedhjet për Kuvendin e Odës së Infermierëve , Mamive dhe Profesionistëve të tjerë shëndetësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Ai vizitoi qendrat e votimit në njësinë zgjedhore në Gjinekologji dhe Obstetrikë dhe Njësinë zgjedhore të Kirurgjisë Abdominale, ku përgëzoi anëtarët e njësisë zgjedhore për mbarëvajtjen e procesit dhe inkurajoi komunitetin infermieror që të marrin pjesë në këto zgjedhje.
Ministri Rrahmani tha se zgjedhjet për Odën e Infermierëve e kanë rëndësinë e vet të madhe pasi që përmes tyre komunitetit infermieror i krijohen mundësitë për të vetëqeverisur dhe për të marrë përgjegjësi për çështjet që lidhen me punën e tyre profesionale.
Ai shtoi se me krijimin e Odës së Infermierëve dhe Odave të tjera të cilat janë krijuar më parë, Ministria e Shëndetësisë bart përgjegjësitë që u takojnë tek vet profesionistët shëndetësor, të cilët në këtë mënyrë fuqizojnë rolin e tyre në sistemin shëndetësor dhe ndihmojnë reformimin e sistemit.
Organizuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor për zgjedhjet për Odat e Profesionistëve Shëndetësor, sot në 63 njësi zgjedhore të tre niveleve të Kujdesit Shëndetësor po mbahen zgjedhjet për Odën e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë shëndetësor, Kuvendi inaugurues i të cilës odë mbahet më 23 janar 2015 në Prishtinë.