27 Dhjetor 2024

Masa të tjera për zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit

Prishtinë, 26 nëntor - Organizuar nga Qendra Kosovare për Avokim dhe Zhvillim (KADC), në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, sot në Prishtinë u mbajt tryezë e rrumbullakët me temën: “Zbatimi i Ligjit për Kontrollin e Duhanit dhe Hapat e Ardhshëm”.

Në këtë takim, në të cilin kanë marrë pjesë kryesisht përfaqësues të Koalicionit Antiduhan dhe inspektorë nga rajonet kryesore të Kosovës, është diskutuar për aktivitetet që po ndërmerren për zbatimin e këtij ligji dhe hapat e tjerë, me qëllim të fuqizimit të monitorimit dhe zbatimit të tij..

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, theksoi nevojën e një koordinimi më të mirë midis institucioneve të nivelit qendror dhe lokal për zbatimin më të mirë të ligjit , duke ushtruar përgjegjësitë secili institucion, që është pjesë e zbatimit të tij.

Duke iu referuar një hulumtimi të KADC lidhur me nivelin e zbatimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit në vend, Ministri Agani tha se është evidente se përkundër sukseseve të këtij ligji, disa hallka të zbatimit të tij, nuk janë treguar shumë të përgjegjshme, prandaj kërkoi nga inspektoratet dhe përgjegjësit e tjerë, që të jenë më operativ në zbatimin e këtij ligji.

Ministri tha se është koha që opinion kosovar të di publikisht cilat janë ato institucione dhe ata individë e figura publike që e shkelin ligjin, cilët janë ato subjekte që shpërfillin ligjin, pasi që, këto çështje duhet të jenë pjesë e diskutimeve, duke e ditur rëndësinë e tij. Prandaj, kërkoi ai, që zbatimit të këtij ligji, t’i jepet rëndësia dhe publiciteti i nevojshëm përmes një veprimi të gjerë dhe të koordinuar të faktorëve qeveritarë dhe jo-qeveritarë. Me qëllim të koordinimit të aktiviteteve, Ministri tha se ka emëruar Koordinatorin Nacional për Kontrollin e Duhanit, si një përgjegjësi për të ngritur më tej nivelin e angazhimeve për koordinimin e veprimeve për zbatimin e këtij ligji.

Dr. Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSH-së në Kosovë, duke vlerësuar se zbatimi i këtij ligji është i një rëndësie jetike, theksoi tre elemente të rëndësishme në zbatimin e tij: përkrahjen politike, inspektimet e vazhdueshme dhe ngritjen e ndërgjegjësimit të popullatës. Në këtë aspekt, OBSH, tha ai, do t’i përkrah institucionet dhe shoqërinë civile në zbatimin e këtij ligji.

Për aktivitetet e ndërmarra nga Inspektorati Sanitar ka folur drejtoresha e këtij inspeksioni,  znj. Ilirjana Zymberaj, ndërsa Koordinatori Nacional për Kontrollin e Duhanit, Faik Hoti, ka prezantuar aktivitetet në proces nga ana e Ministrisë, si kryesuese e Këshillit Ndërministror për Kontrollin e Duhanit.

Rezultatet e hulumtimit të zhvilluar në shtatë rajone të Kosovës nga KADC, i ka prezantuar Arben Lila nga kjo organizatë, kurse drejtori i Drejtorisë së Inspektoratit të Komunës së Prishtinës, Xhelal Sfeçla ka folur për aktivitetet e kryera nga inspektorët komunalë të Prishtinës për zbatimin e ligjit në këtë komunë, ku u raportua për 146 vërejtje, 33 fletëparaqitje në gjykata dhe disa dënime të shqiptuara nga ky inspektorat gjatë ditëve të fundit. Ai tha se në komunën e Prishtinës, përkundër angazhimeve që kanë inspektorët edhe në çështje të tjera, inspektimet për zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit janë të vazhdueshme..

Durak Zyrapi nga Inspektorati Sanitar për rajonin e Prizrenin tha se në këtë komunë dhe dy komunat e tjera përreth: Suharekë, Malishevë, Dragash, në dy muajt e fundit janë kryer 245 inspektime, ndërsa në gjykata janë dërguar 36 lëndë, prej të cilave janë shqyrtuar 29. Këtyre ditëve, tha ai, gjykata ka konfirmuar tre dënime: një me 3500 euro, një tjetër me 500 euro dhe dënimi i tretë me 300 euro.

Z. Zyrapi tha se është shqetësuese në rajonin e Prizrenit, fakti që persona zyrtar nga institucionet publike siç janë pjesëtar të Policisë së Kosovës dhe deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, por edhe figura të tjera publike janë evidentuar si shkelës serik të ligjit për Kontrollin e Duhanit në subjekte të caktuara gastronomike.

Në këtë diskutim, për aktivitetet e tyre kanë raportuar edhe inspektorët nga Gjilani e Podujeva, ndërsa si shembull i mirë është cilësuar Inspektorati i komunës së Lipjanit, që ka arritur rezultate të mira në zbatimin e këtij ligji, falë bashkëpunimit të mirë midis inspektorëve, kryetarit të Komunës dhe gjykatës komunale. Së fundi , ky inspektorat kanë shqiptuar 16 dënime për persona fizik dhe dy dënime nga 500 euro për subjekte-shkelëse të këtij ligji në këtë komunë, derisa gjatë këtij viti, 73 fletëparaqitje janë dërguar në gjykatë për kundërvajtje.

Në këtë takim, inspektorët janë falënderuar për punën e tyre, në kushte jo shumë të favorshme, ndërkohë që është është folur edhe për atë se çka po e sfidon më tepër zbatimin e këtij ligji. Janë nxjerrë gjithashtu edhe rekomandime për aksionet e mëtejme, të cilat gjithsesi kanë të bëjnë me përmirësimin e bashkëpunimit me gjykatat që kanë filluar të shqiptojnë dënimet  dhe Policinë, si dhe një bashkëpunim më i mirë ndër-sektorial, me qëllimin që ligji të arrijë suksesin e tij, që për qëllim kryesor ka mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve nga pasojat shkatërruese shëndetësore, ekonomike, sociale e mjedisore nga duhani.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)