Luksemburgu i jep shëndetësisë kosovare pesë autoambulanca
Prishtinë, 13 korrik - Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës dhe Agjencioni për Zhvillim bashkëpunimi i Qeverisë së Luksemburgut - Lux Developemnt, në kuadër të projektit: Programi përkrahës për shëndetësi në Kosove - KSV/014, i cili financohet nga Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Dukatës së Madhe të Luksemburgut, do të pajisin nesër me nga një auto ambulancë pesë Qendra Kryesore të Mjekësisë Familjare të Regjionit të Prizrenit: QKMF në Malishevë, Rahovec, Dragash, Suharekë dhe Prizren.
Auto -ambulancat janë të tipit Peugeot Boxher dhe janë të pajisura me aparaturën më moderne për trajtim të rasteve emergjente.
Këto autoambulanca do të jenë në shërbim të popullatës së regjionit të Prizrenit, kurse vlera e përgjithshme e tyre është 280 000 euro.
Ceremonia e dorëzimit të këtyre autoambulancave do mbahet nesër në orën 11:00 në Ministrinë e Shëndetësisë ku do të jenë krerët e Ministrisë së Shëndetësisë, përfaqësuesit e lartë të Qeverisë së Luksemburgut në Kosovë si dhe drejtuesit e QKMF-ve që përfitojnë nga ky projekt.