Ligji për sigurime shëndetësore do ta përmirësojë mirëqenien e qytetarëve
Prishtinë, 9 shkurt - Hyrja në fuqi e Ligjit për sigurime shëndetësore, do të përmirësojë mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, thonë zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë. Ndërsa, për opozitën ky ligj po vjen në një kohë të vonuar dhe janë skeptikë në zbatimin e tij.
Draft-ligji për sigurime shëndetësore, i cili pritet të kalojë në Kuvendin e Kosovës, do ta mundësojë përmirësimin e mirëqenies sociale, tha zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti. Mirëpo, sipas doktor Haxhi Avdyli nga radhët e LDK-së, fillimisht është e rëndësishme që të përmirësohet cilësia e shërbimeve shëndetësore, ndryshe mund të rrezikohet funksionimi i këtij ligji.
Domosdoshmërisht, edhe institucionet publike duhet ta përmirësojnë dukshëm menaxhimin edhe kujdesin shëndetësor, sepse edhe pacientët me sigurime shëndetësoer do të kenë mundësi që të zgjedhin dhe shumë institucione të cilat nuk ofrojë atë çka kërkon pacienti apo klienti do të mbesin pa pacientë, dhe me mbetjen pa pacientë- do të mbesin edhe pa të ardhura dhe nuk do të kenë mundësi ti paguajnë punëtoret e vetë, thotë Avdyli.
Ndërsa, zyrtarë të Ministrisë të Shëndetësisë, thonë se janë bërë të gjitha analizat e duhura që ky ligj të jetë i suksesshëm gjatë zbatimit.
Shumë prej partive politike, të cilat shprehin skepticizmin e tyre, ndoshta kanë qenë vetë në pushtet dhe ndoshta kanë mundur ta bëjnë por nuk e kanë bërë. Ndërsa, sa i përket MSH-së, procesi i draftimit të këtij ligji ka shkuar në mënyrë të kombinuar më bankën botërore, fondin monetar ndërkombëtar dhe janë kryer analiza të shumëfishta, thotë Faik Hoti.
Duke e ditur rëndësinë e këtij ligji është dashur të punohet më kohë në këtë drejtim, tha doktor Luan Jaha, nga radhët e AAK-së.
Kjo po behet në një kohë shumë të vonë dhe çdo pasojë e shkaktuar nga vonesa që është bërë në sjelljen e këtij ligji do të ketë shumë kohë për tu përmirësuar, deklaroi ai.
Hoti tha se është menduar mirë që ky ligj pas miratimit në Kuvendin e Kosovës, mos të ketë pendesa gjatë zbatimit.
Pritet që sistemi shëndetësor në vitin e parë të hyrjes në fuqi të ligjit të ketë plus 80 milionë euro, e kur këtyre 80 milionë euro iu shtohet edhe buxheti historik që ndahet për shëndetësi, atëherë qysh në vitin e parë dhe vitin e dyte do të ketë buxhet të dyfishuar, shton Faik Hoti.
Me miratimin e këtij ligji, të gjithë qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi të shfrytëzojnë sigurimin shëndetësorë, tha Hoti.
rtk