Ligji për Kontrollin e Duhanit e arritura më e madhe e shëndetit publik
Prishtinë, 21 janar - Organizuar nga Qendra Kosovare për Avokim dhe Zhvillim (KADC) në bashkëpunim me Zyrën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Kosovë dhe Ministrinë e Shëndetësisë, sot në Prishtinë u mbajt takimi vjetor: Efikasiteti dhe sfidat në zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit 2013.
Në këtë takim ku përveç organizatorëve morën pjesë edhe përfaqësues të Gjyqësorit, Policisë së Kosovës, si dhe përfaqësues të inspektorateve përgjegjësisë për zbatimin e ligjit si të nivelit qendror ashtu edhe të atij lokal, u tha se Ligji për Kontrollin e Duhanit, i hyrë në fuqi më 22 maj të vitit 2013, ka sjellë një ndryshim të madh në shoqërinë kosovare si në aspektin e shëndetit publik, ashtu edhe në atë kulturor.
Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, njëherësh kryesues i Këshillit Ndërministror për Kontrollin e Duhanit, tha se ky takim vjetor reflekton gatishmërinë e institucioneve qeveritare, inspektorateve, shoqërisë civile dhe qytetarëve të vendit, që më përkrahjen edhe të mediave, ligji të zbatohet.
Ligji për Kontrollin e Duhanit ka qenë një prej ligjeve më rëndësishme që ka sjellë Kuvendi i Kosovës pas luftës dhe përmes këtij ligji, Kuvendi ka dërguar një mesazh kombëtar dhe ndërkombëtar se është i përkushtuar për mbrojtjen e shëndetit të popullatës, duke i dhënë detyrë Qeverisë së vendit që ta zbatojë këtë ligj, tha Ministri Agani.
Me gjithë sfidat që i ka zbatimi i këtij ligji, Ministri Agani tha se për zbatimin e tij do të vazhdojnë përpjekjet koherente, me që i njëjti ruan shëndetin publik dhe shpreh një hap civilizues të shoqërisë kosovare e cila shpreh përkushtimin për mbrojtjen e shëndetit të njëri-tjetrit.
Ligji ka pasur rezultate të dukshme pozitive, përkundër sfidave të veçanta, tha Ministri Agani.
Dr. Skënder Syla, shef i OBSH-së në Kosovë, tha se gjatë vitit 2013, Ligji për Kontrollin e Duhanit ka paraqitur të arriturën më të madhe në fushën e shëndetit publik në Kosovë, duke pasur parasysh pasojat e rënda për shoqërinë që i shkakton duhan-pirja aktive dhe ajo pasive.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, tha se efektet që i ka prodhuar ky ligj në Kosovë kanë qenë një befasi e këndshme për shoqërinë kosovare, ndërsa ka shprehur përkushtimin e gjykatave që lëndët e dërguara tek ato, të procedohen dhe të merren vendimet përfundimtare.
Ai tha se Gjykata është e gatshme të ndihmojë edhe me ndonjë formë të trajnimit inspektorët në parashtrimin sa më argumentues të kallëzimeve ndaj shkelësve të ligjit me qëllim që lëndët të përfundohen me sukses.
Drejtoresha e Inspektoratit Sanitar (AUV), znj. Ilirjana Zymberaj, ka folur për inspektimet e kryera gjatë kësaj kohe nga inspektorët sanitarë, duke theksuar se gjatë vitit 2013, pas hyrjes në fuqi të Ligjit, janë kryer 1.700 inspektime, ndërsa 55 raste janë dërguar në gjykata për shqiptimin e gjobave të dhëna nga inspektorët.
Ajo ke folur edhe për intensifikimin e inspektimeve në fillim të këtij viti, duke theksuar se Ligji do të zbatohet dhe se Inspektorati do të jetë më i ashpër gjatë këtij viti ndaj shkelësve të ligjit.
Kapiteni Vllaznim Surdulli nga Policia e Kosovës, tha se ky institucion do ta mbështes zbatimin e ligjit, duke u asistuar inspektorëve sa herë që ata kanë nevojë në kryerjen e inspektimeve dhe se Policia e Kosovës do të jetë pjesë e zbatimit të këtij ligji.
Drejtori ekzekutiv i KADC, Shkumbin Spahija ka theksuar faktin se në hartimin e këtij ligji, shoqëria civile dhe institucionet e tjera, kanë vepruar me sinergji për ta arritur ndryshimin dhe në kuadër të aktiviteteve të ardhshme, ka propozuat krijimin e një Programi Kombëtar për Kontrollin e Duhanit, programe për të ndihmuar qytetarët në lënien e duhanit dhe eliminim e varësisë prej tij.
Në këtë takim, me pjesëmarrje të gjerë të institucioneve qeveritare dhe joqeveritare, Faik Hoti nga MSH ka prezantuar ecurinë që i ka parapri miratimit të ligjit , efektet, sfidat dhe hapat e tjerë që janë duke u ndërmarrë nga institucionet, kurse Arben Lila (KADC), përveç prezantimit të asaj çfarë ka bërë shoqëria civile në këtë fushë, ka prezantuar edhe një draft- plan specifik për organet monitoruese dhe zbatuese të ligjit, i hartuar midis partnerëve, i cili do ti dërgohet Këshillit Ndërministror për miratim së shpejti.
Aktivitet e ndërmarra për ligjin i ka mbështetur edhe kryetari i Organizatës Konsumatori, z. Selatin Kaçaniku sikurse edhe përfaqësues të ekipeve rajonale multi-sektoriale, të krijuara për të ndihmuar në zbatimin e këtij ligji.
Në takim janë prezantuar edhe rezultatet e Inspektoratit Shëndetësor dhe organeve të tjera zbatuese.
Ishte konkluzion i përbashkët i takimit vjetor se zbatimi i ligjit do të ndeshet edhe më tej me sfida serioze, por koordinimi mirë do të ndihmojë që ligji të zbatohet sa më mirë dhe se efektet pozitive të tij do të përkthehen drejtpërdrejt me të mira në shëndetin e popullatës kosovare.