Liberia, vendi me më tepër vdekje nga Ebola
Monrovia, 19 gusht - Liberia është duke raportuar më tepër vdekje nga Ebola, se sa çdo vend tjetër i rajonit të prekur nga epidemia: të paktën 413 persona kanë vdekur deri tani. Organizata \"Mjekët pa Kufi\" thotë se situata atje është \"katastrofike\".
Një njësi izolimi me pacientë me Ebolë në kryeqytetin e vendit u sulmua të shtunën, vetëm disa orë pasi presidentja liberiane Ellen Johnson Sirleaf qëndroi gjatë ditës me ekipet e edukimit për sëmundjen në komunitetet përreth Monrovisë, në përpjekje për t\'iu përgjigjur pyetjeve të njerëzve për Ebolën.
Ajo i bëri thirrje njerëzve të veprojnë në përputhje me masat e nevojshme për ta vënë nën kontroll sëmundjen.
Presidentja Ellen Johnson Sirleaf tha se Ebola mund të luftohet: \"Qëndroni aty ku jeni, mos shkoni në një vend tjetër, prisni deri sa t\'ju jepet trajtimi. Në se të gjithë do të ndiqnin këto orjentime, do të arrinim ta ulnim epideminë,\" - tha ajo.
Presidentja i shoqëroi ekipet e ndërgjegjësimit për sëmundjen në dy nga komunitetet në të goditura përreth kryeqytetit.
Qindra njerëz shkuan atje për të dëgjuar dhe për të bërë pyetje për sëmundjen.
Kjo është hera e parë që epidemia e Ebolës bie në vendet e Afrikës Perëndimore. Njerëzit vazhdojnë të mësojnë informacione të reja për sëmundjen. Virusi vazhdon të shtohet me përmasa të mëdha, shumë më me shpejtësi se sa përpjekjet e përgjigjes ndaj epidemisë.
Në Liberi, familjet vazhdojnë t\'i mbajnë fshehur në shtëpi të sëmurët e tyre. Po ashtu atje punonjësit e shëndetësisë janë bërë objekt sulmesh.
Protestuesit sulmuan dhe plaçkitën qendrën e karantinës për pacientët e Ebolës në kryeqytetin Monrovia. Autoritetet thanë se sulmi ndodhi të shtunën vonë në lagjen West Point të qytetit. Zyrtarët thanë se një grup banorësh, kryesisht burra të armatosur me shkopinj, hynë në ndërtesë, duke vjedhur nga klinika materiale që mund të jenë të infektuara nga virusi.
Presidentja Sirleaf i tha gazetarëve se disa njerëz refuzojnë të besojnë se Ebola është reale. Ajo tha se ky qëndrim duhet të marrë fund dhe njerëzit duhet të ndjekin rekomandimet shëndetësore:
\"Mënyra më e mirë për ta kontroluar sëmundjen është të qëndrohet larg nga njerëzit që duket se janë të sëmurë. Në se lahen duart dhe nuk preken njerëzit e infektuar, epidemia mund të luftohet.\"
Presidentja liberiane tha se personat e sëmurë duhet të kërkojnë të trajtim nga mjeku.
Ebola transmetohet përmes kontaktit nga afër me lëngjet trupore të personave të sëmurë. Izolimi i pacientëve në njësi të posaçme shërben në dy aspekte: së pari, ndalon infektimin e personave të tjerë me virusin dhe së dyti, i jep mundësi presonave të sëmurë ta luftojnë atë.
Rreth 40 për qind e të infektuarve në këtë epidemi rajonale e kanë luftuar virusin me mjete mjekësore, si terapia e rihidratimit.
Por njësitë ekzistuese të trajtimit të sëmundjes në Monrovia dhe në shumicën e rajoneve kufitare të prekura prej saj, kanë mbingarkesë të pacientëve. Mjekët pa Kufi hapën atje të shtunën një njësi të re trajtimi, me 120 shtretër, më e madhja deri tani, por personeli shëndetësor thonë se parashikojnë që ajo të mos jetë e mjaftueshme për të strehuar të gjithë të infektuarit.