Lejohet importi i produkteve medicinale që nuk janë të regjistruara
Prishtinë, 22 gusht - Me qëllim të luftimit të tregut të zi dhe furnizimit të popullatës me barna, të cilëve ju janë përshkruar produkte medicinale të paregjistruara, pas konsultimeve të shumta me shoqatën farmaceutike, odën e farmacisë si dhe shoqatën e distributorëve, bazuar në dispozitat e Ligjit 04/L-190, Ministri i Shëndetësisë sot nënshkroi Udhëzimin Administrativ 02/2014 - për regjistrimin dhe importin e produkteve medicinale të cilat nuk kanë paralele të regjistruara në Republikën e Kosovës
Të drejtë aplikimi për import kanë vetëm seritë e produkteve medicinale që qarkullojnë në tregun farmaceutik të BE-së, kurse baza për vendimmarrje në përputhje me këtë Udhëzim Administrativ do të jetë Lista e produkteve të regjistruara në AKPPM, në bazë të nivelit 5 të kodit ATC dhe formës farmaceutike.
Nëse i njëjti produkt medicinal e fiton të drejtën e autorizimit për marketing pranë AKPPM-së, atëherë e humb të drejtën e importit në bazë të këtij UA.
Bazuar në pikën 11 të nenit 16 të Ligjit, Nr.04/L-190, autoriteti kompetent për implementimin e këtij Udhëzimi Administrativ është Ministria e Shëndetësisë përmes Agjencisë së Kosovës për Produkte Medicinale, përkatësisht Departamentit të Licencimit.