LDK shpreh shqetësimet në menaxhimin e etheve hemoragjike
Prishtinë, 26 qershor - Këshilli i Ekspertëve i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) shpreh shqetësimet lidhur me qasjen joserioze të Qeverisë në menaxhimin e etheve hemoragjike në regjionet endemike. Këto regjione përfshijnë rreth 35% të territorit të vendit.
Fatkeqësisht edhe këtë vit kjo sëmundje ka marrur edhe 5 jetë njerëzish të rinj, ndërkohë që numri i të sëmurëve dhe të spitalizuarve vazhdon të rritet në mënyrë të shpejtë.
LDK thekson se qeveria është vonuar edhe këtë vit me masat për parandalimin dhe menaxhimin e të sëmurëve nga kjo sëmundje infektive;
Konsiderojmë se përgjegjës për këtë në radhë të parë janë MSH, IKSHP, po ashtu edhe sektorë tjera si ai bujqësisë, ambientit e te tjerë, për faktin se nuk ndërmorën me kohë masat parandaluese adekuate.
LDK vlereson se nuk u punuar fare në vetëdijesim të popullatës për masat konkrete dhe ndihmën financiare për mirëmbajtje higjienike të bagëtive, shtallave, largimit të plehrave dhe spërkatjes së tyre me akaricide;
- Spërkatjes nga ajri të zonave endemike ashtu siç praktikohet në vendet e rajonit Serbi, Maqedoni dhe Mal të Zi. Mali Zi, edhe pse është shpallur shtet ekologjik e bënë spërkatjen nga ajri dy herë në vit;
- Vlerësimit kritik të rrezikut nga rriqrat për popullatën e rajoneve endemike. Dihet mirëfilli se Kosova ka ndotje të lartë ditore të mjedisit nga KEK dhe ndotës tjerë, higjienë shumë të ulët mjedisore, mungesë të infrastrukturës për largim të mbeturinave të ngurta dhe ujërave të zeza. Prandaj, në këtë realitet të disfavorshëm, spërkatja nga ajri i rajoneve endemike është një e keqe ekologjike, gjithsesi më e vogël se sa humbja e jetës së njerëzve.
- Kyçjes së medieve publike në kampanjat e vetëdijesimit të banorëve të rrezikuar.
Për më tepër, Ministria e Shëndetësisë sipas LDK-se nuk ka arritur të mobilizohet dhe organizojë një sistem adekuat të referimit të pacientëve të infektuar, të cilët fatkeqësisht, shpesh humbin kohën optimale të trajtimit duke u dërguar nga një institucion shëndetësor në tjetrin, duke shtuar kështu rrezikun e infeksionit të punëtorëve shëndetësorë dhe personave tjerë kontaktues.
Grupi i ekspertëve për Shëndetësi i LDK-së rekomandon që :
Së pari, institucionet shtetërore, posaçërisht ato shëndetësore, të mobilizohen dhe ndërmarrin të gjitha masat konkrete për sanimin e gjendjes akute, zvogëlimin e panikut tek banorët e rajoneve endemike dhe sigurimin e jetës së tyre.
Me qëllim të shpëtimit të jetëve të njerëzve, të konsiderohet mundësia e spërkatjes nga ajri të zonave endemike.
MSH të përmbushë obligimet e saja ligjore për sigurimin e mjaftueshëm të barnave adekuate për trajtimin e sëmundjes. Urgjentisht duhet të sigurohen mjete financiare për të gjitha masat dhe medikamentet e nevojshme për trajtimin e personave të infektuar dhe zvogëlimin e mundësive të transmetimit të sëmundjes.
\"Meqenëse MSH nuk ka kapacitete të mjaftueshme për menaxhimin e situatës së krijuar, kërkohet nga Qeveria që problemi të trajtohet më seriozitet më të madh me qasje multidisciplinare dhe ekip intersektorial ku do të bënin pjesë përfaqësues të MSH, Ministrisë së Bujqësisë, Ministrisë së ambientit dhe specialistë të sektorëve tjera të cilët do të përgatisin dhe ndërmerrnin të gjitha masat për zgjidhjen afatgjatë të këtij problemi serioz shëndetësor\", thuhet në fund të reagimit te LDK-së.