LDK: Shëndetësia publike e Kosovës përkeqësohet përditë e më shumë
Prishtinë, 2 shkurt - Grupi i ekspertëve për shëndetësi i LDK-së, ka vlërsuar se gjendja në sistemin shëndetësor publik të Kosovës sa vie e përkeqësohet përditë e më shumë.
Kjo, për faktin se shëndeti i popullatës kosovare vazhdon të mos jetë prioritet i kësaj Qeverie, e cila edhe për vitin 2014, por edhe për tri vitet në vijim, për sektorin e shëndetësisë ka projektuar një buxhet tejet të vogël i cili as për së afërmi nuk i plotëson kërkesat reale të popullatës.
Ndarja e vetëm pak më shumë se 100 milion euro për Ministrinë e Shëndetësisë për vitin 2014, apo thënë më mirë vetëm rreth 55 euro për kokë banori në vit, bën që ky sektor të jetë i nënfinacuar dhe në pamundësi për të kryer me sukses shërbimet e nevojshme shëndetësore.
Nëse e shprehim në shifra ekonomike, shpenzimet totale për shëndetësi si % e GDP (Gross Domestic Product) në Kosovë sillen nën 3% (në botë janë vetëm 13 shtete nën 3%, si p.sh. Sudani Jugor, Katari, Omani, Pakistani, Eritrea, Indonesia, Turkmenistani).
Kosova ka përqindjen më të ulët (që nga GDP ndan për shëndetësi) në të gjitha vendet rajonit: BiH e Serbia mbi 10%, Kroacia rreth 8%, Maqedonia rreth 6.5%.
Dhe, nëse kësaj i shtojmë faktin se edhe ky buxhet i vogël keqmenaxhohet, atëherë nuk kemi si të presim shëndetësi më të mirë, dhe as të jemi optimist se kjo do të ndryshojë për të mirë, të paktën me këtë Qeveri.
Keqmenaxhimi është i pranishëm në pothuasje të gjitha aspektet dhe nivelet. Padyshim, se kjo më së miri shihet në fushën e diagnostikës, aty ku pacientët vuajnë dhe, në të njëjtën kohë paguajnë më së shumti. Aparatura dhe pajisjet mjekësore, si CT, Rezonaca, Koronarografia, EEG, Scintigrafia e të tjera, në sektorin publik prishen për ditë, janë në defekt pjesën më të madhe të kohës, ndërkohë që pacientët shpenzojnë me qindra mijëra euro nëpër klinikat private brenda dhe jashtë Kosove.
Vetëm gjatë vitit 2013, për këtë qëllim MSH ka shpenzuar mbi 4 milion euro; nëse kësaj i shtojmë edhe shpenzimet personale të pacientëve, atëherë rezulton se brenda 1 viti qytetarët tanë shpenzojnë me dhjetëra miliona euro për shërbime shëndetësore nëpër spitalet private brenda dhe jashtë Kosovës.
Keqmenaxhimin në MSH më së miri e ilustrojnë skandalet e shumta të cilat tashmë janë bërë pothuajse dukuri e zakonshme në këtë isntitucion dhe në institucionet vartëse të saj; aferat korruptive, procedura të shumta disciplinore, gjetje të shkeljeve ligjore në prokurim publik dhe keqpërdorime në tenderë të MSH, të shoqëruara edhe me arrestime të zyrtarëve të saj, flasin më së miri për kaosin në këtë ministri.
Një fushë në të cilën MSH tashmë është dëshmuar se është e pazonja të menaxhojë është ajo e furnizimit me barëna dhe material tjetër shpenzues mjekësor nga lista esenciale.
MSH assesi nuk po arrin të gjejë mënyrën e duhur për furnizim me barëna dhe material tjetër shpenzues; edhe deklarimi me pompozitet nga ana e MSH vitin e kaluar për ndarjen e kësaj liste në dy grupe - listën A dhe B, po del të jetë edhe një nga hapat e dështuar të MSH. Këtë e ka argumentuar vetë QKUK, përmes zëdhënisit të saj se për vitin e kaluar MSH nuk ka arritur të mbulojë as 50% të nevojave të pacientëve me barëna nga kjo listë esenciale.
Paramendoni vetëm një gjë: qe 4 vite MSH/QKUK nuk është në gjendje të zgjedhë drejtorët e klinikave; pra qe 4 vite, klinikat dhe insititucionet e QKUK vazhdojnë të udhëhiqen me U.D. të drejtorëve, në mënyrë krejtësisht të paligjshme; dhe kjo ka sjellë QKUK dhe klinikat në një situatë tragjiko-komike, ku mandati i U.D. po zgjatë më shumë se mandati i rregullt i drejtorit.
Keto ditë MSH ka shpallur konkurse për pozitat e Drejtorve Ekzekutivë të e Qendrave terciare , QKUK dhe QSUK dhe për Drejtorët e spitaleve rajonale. Në këtë kohë është shpallur edhe Konkursi intern i QKUK për Drejtorët e Klinikave.
LDK i inkurajon te gjithë profesionistët shëndetësor të cilët i plotësojnë kushtet ligjore, të aplikojnë , sepse mbarëvajtja e sistemit shëndetësorë është në varshmëri direkte edhe nga kualiteti i menaxhmentit , dhe kjo e tëra është në interes të gjithë qytetarëve të Kosovës. Në këto proçese konkuruese percaktimet politike individuale dhe përkatësia klanore nuk guxojne të jenë faktor eliminues ose favorizues . Ka indicione se ky proçes është duke u keqëpërdorur nga klanet dhe manipulues të ndryshëm të cilët veprojnë në stafin civil të MSH.
Në këtë kontekst, LDK kërkon nga stafi politik i Ministrisë ti pengojë këto tendenca të cilat bien ndesh me politikat e proklamuara reformatore . Ne nuk dëshirojmë të besojmë se ekziston një qeveri në ndonjë vend normal të botës e cila ka për interes që institucionet e rëndësishme shëndetësore të udhëhiqen nga individ me kredibilitet të kontestueshëm profesional, shkencorë dhe moral. Ecurinë e këtyre proçeseve do ta percjellim me shumë vëmendje dhe nëse do të ketë nevojë do ti përdorim të gjithë mekanizmat e mbrojtjës ligjore.
Rekomandimet:
Grupi i ekspertëve për shëndetësi i LDK-së kërkon që:
1. Shëndetësia të jetë një nga prioritetet qeveritare, ku do të rriten investimet, do të rritet transparenca dhe menaxhimi i përgjegjshëm i parasë publike. Kërkojmë që njëherë e përgjithmonë, sektori i shëndetësisë të nxirret nga rruga e skandaleve, korrupsionit dhe keqmenaxhimit.
2. Të rritet buxheti për shëndetësi, të paktën në nivelin e vendeve të rajonit. Krahas kësaj, të krijohet ambient i përshtatshëm, hapësirë dhe oferta atraktive për profesionistët e shumtë shëndetësor nga Kosova të dëshmuar për ekspertizën e tyre në vendet e Bashkësisë Evropiane dhe SHBA që të kthehen dhe japin kontributin e tyre të çmuar në zhvillimin e sistemit shëndetësor në Kosovë.
3. Të përshpejtohen reformat shëndetsore, veçanërisht për funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore. Përkrahje finaciare të veçantë për tre vitet e para, për ngritjen e infrastrukturës për fondin e sigurimeve shëndetësore deri në pavarësimin financiar të tij.
4. Të rregullohen raportet në mes të sektorit publik-privat ku do të sundoi rendi, rregulli, kriterët dhe standardet etiko-profesionale në të dy sektorët.
5. Të punohet më shumë në gjetjen e donatorëve vendorë dhe ndërkombëtarë për shëndetësinë, në mënyrë që të mbulohen sadopak zbraztësitë që ka shkaktuar mospërkrahja finaciare qeveritare për këtë sektor.