26 Dhjetor 2024

LDK-ja do ta shërojë shëndetësinë me dyfishim të buxhetit

Prishtinë, 19 maj - Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, gjatë një bashkëbisedimi me  punëtorët e shëndetësisë, ka thënë të hënën se është e papranueshme që Kosova llogaritet ndër 13 vendet e botës që investojnë më së paku në shëndetësi.

Sipas LDK-së kjo gjendje do të ndërrohet me qeverisjen e LDK-së, e cila do ta dyfishojë buxhetin për shëndetësi dhe do të sigurojë një infermiere dhe një specialist të mjekësisë familjare për çdo 2000 deri 2500 banorë.

“Aktualisht  vetëm 2.8 e GDP-së shpenzohen për shëndetësi. Me ardhjen e LDK-së në pushtet buxheti do të dyfishohet sepse me buxhetin aktual Kosova renditet ndër 13 vendet e botës që investojnë më së paku në shëndetësi për popullatën.

Ne kemi llogaritur 40 milionë euro shtesë buxhet në vit për shëndetësinë, të cilat do të sigurohen nëpërmes parametrave të bazuara në qëndrueshmëri buxhetore”, ka thënë Mustafa.

Ai ka shtuar se në Kosovë të gjithë pajtohen se shëndetësia është e sëmurë, në mungesë të trajtimit adekuat dhe keqmenaxhimit që i ka bërë Qeveria në largim, Ministria e Shëndetësisë, por edhe grupet e interesit, të cilët iu kanë pamundësuar ekspertëve të shëndetësisë që të kryejnë punën e tyre në mënyrë profesionale.

Mustafa ka thënë se mantelbardhët janë më së paku fajtor për gjendjen në shëndetësi, sepse sistemi joadekuat i menaxhimit iu ka pamundësuar atyre që të japin kontributin maksimal për shëndetin e popullatës.

“Ne do të krijojmë kushte që jo vetëm profesionistët e shëndetësisë në Kosovë, por edhe ata që jetojnë jashtë vendit, t’ju krijojmë kushte për të kthyer dhe për të dhënë kontribut për përmirësimin dhe avancimin e sistemit shëndetësor në Kosovë. Është e papranueshme që aktualisht 80 milionë euro të shpenzohen në vit nga kosovarët për trajtime shëndetësore jashtë vendit. Ne do të krijojmë kushte që shumica e këtyre trajtimeve të kryhen në Kosovë”, ka thënë kreu i LDK-së.

Për rëndësinë që i ka dhënë LDK sektorit të shëndetësisë, sipas Mustafës, flet edhe lista me kandidatë për deputetë ku janë përfshirë shumë profesionistë shëndetësorë.

Kreu i LDK-së i ka garantuar qytetarët se me qeverisjen e LDK-së, asnjë ditë nuk do të jenë jashtë funksionit aparatet e CT-ve dhe rezonancat magnetike në QKUK dhe qendrat tjera spitalore.

Ai tha se një nga prioritetet tjera të LDK-së do të jetë edhe mjekësia preventive, për të parandaluar sëmundjet, nëpërmes diagnostifikimit dhe trajtimit me kohë, sidomos tek nënat dhe fëmijët.

Mustafa ju ka premtuar zyrtarëve shëndetësorë se do të investohet edhe në hulumtime shkencore, ndërsa në fokus do të jetë edhe fuqizimi i spitaleve rajonale në mënyrë që të zvogëlohet numri i pacientëve në QKUK.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)