LDK: Gjendje kaotike në shëndetësi
Prishtinë, 6 tetor - Këshilli i Ekspertëve për Shëndetësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) konstaton se Qeveria Thaçi po vazhdon me politika dhe vendime që thellojnë kaosin në institucione shëndetësore.
Parregullsitë e mëdha janë bërë normë në QKUK si pasojë e veprimeve të papërgjegjshme të zyrtarëve të Qeverisë.
\"Për më shumë se dy vite, të gjitha klinikat dhe institutet e QKUK-së vazhdojnë në mënyrë të paligjshme të udhëhiqen nga ushtrues detyre\", thuhet në reagimin e LDK.
Parregullsitë në konkursin e fundit për drejtorë të klinikave quan në anulimi e serishëm të tij.
Kjo sipas LDK-së tregon interferimin e politikës, joprofesionalizmin dhe neglizhencën e zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë Thaçi në sektorin shëndetësor.
\"Retorika e reformave nga ana e Qeverisë Thaçi dhe Ministrisë së Shëndetësisë tanimë është demaskuar plotësisht.\"
Klinikave ju mungojnë pajisjet dhe materiali elementar për punë. Qytetarët ikin jashtë vendit për shërim, ndërsa ata që nuk kanë mundësi qëndrojnë në QKUK nën rrezikun që edhe mund të marrin ndonjë sëmundje tjetër.
LDK vlërson se ministria po shkatërron stafin shëndetësor, i cili është krijuar me dekada përmes specializimeve në vend dhe jashtë.
Nuk u implementua decentralizimi i klinikave dhe rritja e kompetencave në menaxhimin e tyre. Ministria e Shëndetësisë për shkak të ndërhyrjeve politike, është bërë pjesë e problemit e jo e zgjidhjes.
LDK kërkon që të ndërpriten menjëherë ndërhyrjet politike dhe të grupeve të interesit në menaxhimin e institucioneve shëndetësore.
Profesionalizmi dhe aftësia menaxheriale duhet të jenë kritere bazë për të vendosur njerëzit e duhur në këto pozita.
LDK kërkon që në afat sa më të shkurtër të qartësohen autorët e shkeljeve dhe parregullsitë në procesin e përzgjedhjes së drejtorëve në Klinikat dhe Institutet e QKUK-së dhe të ndërmerren masat adekuate ndaj tyre.