Largohen sasi të mëdha të mbeturinave në Shtime
Shtime, 21 korrik - Lets Do It Kosova ka realizuar me sukses aksionin e sotëm për pastrimin e qytetit të Shtimes dhe shtratit të lumit Shtimjana.
Rreth 100 vullnetarë larguan 60 thasë dhe dy kamionë me mbeturina, ndërsa aksioni u organizua në kuadër të aktiviteteve të projektit Lets Do It Legal që financohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ndërsa zbatohet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).
Kamionët me mbeturina janë larguar nga lumi, përkatësisht poshtë urës së lumit në dalje të qytetit.
Në aksion morën pjesë edhe kryetari i Komunës së Shtimes, z. Naim Ismajli, i cili falënderoi Organizatën Lets Do It Kosova për organizimin dhe u zotua se do të vazhdojë përkrahjen e nismave të tilla në të ardhmen.
Po ashtu, premtoi se komuna do të angazhohet edhe më tej në vetëdijesimin e qytetarëve për rëndësinë e mjedisit të pastër si dhe përmirësimin e shërbimeve për banorët e kësaj komune.
Aksioni u organizua në bashkëpunim me Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe Drejtorinë e Kulturës, ndërsa me makineri dhe punëtorë në aksion kontribuuan edhe KMR Pastërtia dhe Kompania private NTP Ardhmëria.
Organizata të shumta lokale iu bashkuan këtij aksioni, në mesin e të cilave: Shoqata e Peshkatarëve Salmoni, Kryqi i Kuq dhe Klubi i Hendbollit të femrave Vjosa.
Drejtori Ekzekutiv i Lets Do It Kosova, Luan Hasanaj tha se lumi Shtimjana do të duhet të ishte atraksion për të gjithë dhe të shfrytëzohej për piknik apo aktivitete të tjera, e jo për hedhje të mbeturinave.
Ju bëj apel qytetarëve që të jenë më të kujdesshëm për mjedisit. Por, në anën tjetër kërkoj edhe nga ndërmarrjet që të shtojnë kujdesin për këtë lumë, por edhe për pjesë të tjera të qytetit, tha Hasanaj.
Lets Do It Kosova ju njofton se edhe më tej do të vazhdojnë aktivitetet në kuadër të projektit Lets Do It Legal, ku të martën (më 25 qershor) do të mbahet tryeza e radhës në Ferizaj me akterët përgjegjës për mjedisin.