22 Dhjetor 2024

Lansohet projekti për shërbimet e shëndetit psikosocial të krijuar nga Pandemia

Prishtinë, 9 shtator - Prishtinë, 9 shtator - Në Universitetin e Prishtinës, sot, u bë lansimi i projektit "Përmirësimi i qasjes në shëndetin mendor dhe shërbimet psikosociale (ShMShP) për fëmijët dhe familjet dhe vlerësimin e ekosistemit digjital për mësim online", projekt ky i realizuar në bashkëpunim me Bashkimin Evropian dhe UNICEF-in.

Të pranishmëve në këtë ceremoni, me fjalë rasti, iu drejtuan rektori i Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina", prof. dr. Naser Sahiti, ushtruesja e detyrës së shefit të Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, znj. Larisa Bruun, dhe z, Dario Di Benedetto, udhëheqës i ekipit të Departamentit të Zhvillimit Social - Bashkëpunimit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Në fjalën përshëndetëse të tij, rektori, prof. dr. Naser Sahiti, e vlerësoi lart kontributin e UNICEF-it dhe Zyrës së Bashkimit Evropian në realizimin e këtij projekti. “Unë jam shumë i lumtur që projekti në fjalë do të zbatohet nga Instituti i Psikologjisë në universitetin tonë. Kolegët nga Departamenti i Psikologjisë tanimë kanë një histori solide në bashkëpunim me projekte ndërkombëtare dhe ky projekt hulumtues është një vazhdim i zhvillimeve pozitive, që janë shënuar nga universiteti ynë,” theksoi rektori.

Në vijim të fjalës së tij ai shtoi që e mbështet këtë projekt për disa arsye. Së pari, për shkak që ndihmon në fuqizimin e institucioneve publike të mirëqenies sociale dhe edukimit në ofrimin e shërbimeve, të cilat janë vështirësuar gjatë pandemisë COVID-19, së dyti, ndihmon në përmbushjen e misionit të universitetit - që zhvillon dhe zbaton kërkime shkencore relevante dhe ndihmon shoqërinë për të gjetur zgjidhje për sfidat reale dhe të përditshme, si dhe së treti, ky projekt, duke shfrytëzuar ekspertizën e stafit akademik, ofron zgjidhje për probleme reale të qytetarëve tanë.

Në anën tjetër, ushtruesja e detyrës së shefit të Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, znj. Larissa Bruun, në fjalën e saj, tha që “Ky partneritet na mundëson që t’i adresojmë drejtpërdrejt disa nga sfidat e shkaktuara nga situata e pandemisë, duke gjeneruar njohuri mbi ndikimin e situatës së pandemisë te fëmijët dhe familjet. Ky bashkëpunim i ri me akademinë për mirëqenien e fëmijëve do të na lejojë t’i eksplorojmë së bashku mënyrat se si të përmirësohen rezultatet për fëmijët përmes gjenerimit të provave dhe reagimit”.

Ndërkaq, z. Dario Di Benedeto, nga Zyra e Bashkimit Evropian, tha se: “Projekti që po e fillojmë sot është pjesë e një nisme rajonale të financuar nga BE-ja, si mbështetje për përpjekjet e BE-së për t’i mbrojtur grupet më të prekura nga ndikimet negative të pandemisë COVID-19”. Ai shtoi që BE-ja e mirëpret këtë bashkëpunim, i cili e kombinon ekspertizën e dy partnerëve të rëndësishëm të saj, UNICEF-it dhe Universitetit të Prishtinës, me synim mbrojtjen e mirëqenies së fëmijëve dhe familjeve gjatë pandemisë dhe në vazhdimësi.

Ky partneritet i ri, i cili financiarisht mbështetet nga Bashkimi Evropian, është pjesë e iniciativës rajonale në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi për ta zbutur ndikimin e COVID-19 në jetën e fëmijëve dhe familjeve.

Projekti në fjalë ka dy qëllime kryesore: 1) të fuqizojë shërbimet e shëndetit mendor për fëmijë dhe familje, që do të ofrohen nga qendrat për punë sociale në Kosovë dhe 2) të bëjë një vlerësim të infrastrukturës digjitale në shkollat në Kosovë, në mënyrë që të ofrohen rekomandimet për mësimin e vazhdueshëm, përfshirë atë online.

Projekti planifikohet të përfundojë në dhjetor të vitit 2022 dhe do të zbatohet nga Instituti i Psikologjisë i Universitetit të Prishtinës, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, drejtoritë komunale të arsimit, qendrat për punë sociale dhe organizatat e shoqërisë civile.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)