Lansohet hartimi i Strategjisë për shërbimet emergjente mjekësore
Prishtinë, 22 mars - Në Ministrinë e Shëndetësisë u mbajt sot takimi i Komitetit Shtetëror për Shërbimet Emergjente Mjekësore (SHEM) dhe u bë lansimi i hartimit të Strategjisë për shërbimet emergjente Mjekësore në Republikën e Kosovës.
Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, duke falënderuar në mënyrë të veçantë Zyrën e OBSH-së në Kosovë për mbështetje në fuqizimin e shërbimeve emergjente mjekësore, tha se duke pasuar parasysh specifikat të cilat i kanë këto shërbime, partneriteti në krijimin e një strategjie të shërbimeve emergjente mjekësore është i rëndësisë së veçantë midis Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe partnerëve të tjerë të lidhur ngusht me natyrën e shërbimeve mjekësore në situatat emergjente.
Hartimi i një dokumenti siç është strategjia për shërbimet emergjente mjekësore duhet të jetë një përpjekje dhe dokument inter-disiplinar që do të sigurojë një kornizë të qartë politike të institucioneve tona se si ti zhvillojmë këto shërbime shumë të nevojshme, tha Ministri Agani.
Ai tha se shërbimet emergjente mjekësore duhet të zhvillohen në dy rrafshe: në bashkëpunimin në situata emergjente individuale dhe në situata emergjentë të katastrofave dhe fatkeqësive të ndryshme natyrore.
Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ismet Ibishi, tha se puna e bashkërenduar do të mundësojë që të krijohet një sistem që organizon reagimet në situata emergjenten mënyrë efikase duke filluar nga niveli lokal e deri te ai qendror.
E vetmja garanci në tragjeditë që ndodhin kudo në botë për tiu përgjigjur drejt atyre është reagimi i Qeverive në kuadër të planeve kombëtare për situata emergjente, tha ai.
Shefi i Zyrës së OBSH-së në Kosovë, dr. Skënder Syla tha se kjo organizatë është duke e zbatuar projektin për fuqizimin e shërbimeve emergjente mjekësore në Kosovë me mbështetjen financiare të Qeverisë së Luksemburgut, dhe që prej fillimit është kërkuar që në kuadër të veprimeve për fuqizimit të këtyre shërbimeve, të futen edhe aktorë të tjerë.
Sigurisht që sigurimi i një plani të reagimit në emergjenca është një proces i gjatë, ndërsa OBSH-ja pret që në fund të procesit Komiteti Shtetëror për SHEM të ketë një dokument të bazuar në evidencë, të jetë i zbatueshëm dhe në funksion të përmirësimit të shërbimeve shëndetësore për qytetarët e Kosovës, tha Syla.
Komiteti për SHEM që udhëhiqet nga dr. Pashka Buzhala (MSh), do të ketë edhe mbështetjen e ekspertëve ndërkombëtar të OBSH-së për hartimin e Strategjisë për SHEM dhe më pas edhe planit të veprimit për zbatimin e kësaj strategjie.