Laboranti në SHBA ekspozohet ndaj virusit të Ebolës

Atlanta, 26 dhjetor - Qendra amerikane për kontrollin e sëmundjeve thotë se një laborant që merret me analiza për Ebolën, mund të jetë ekspozuar aksidentalisht ndaj virusit.
Një zëdhënës i qendrës tha se incidenti ka ndodhur në Atlanta të Xhorxhas. Ai tha se një sasi e vogël e virusit aktiv të Ebolës mund të jetë transferuar gabimisht nga një laborator tek një tjetër, i cili nuk ka qenë i pajisur siç duhet për trajtimin e virusit.
Laboranti po mbahet nën vëzhgim për 21 ditë, që është periudha e inkubacionit për sëmundjen.
Qendra amerikane për kontrollin e sëmundjeve po shqyrton gjithashtu në se disa punonjës të tjerë që kanë hyrë në laborator mund të jenë ekspozuar ndaj virusit.