25 Dhjetor 2024

Kurti: Vullnetarizmi duhet të rregullohet me një kornizë ligjore

Prishtinë, 26 maj - Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, vizitoi vullnetarët në Qendrën e Thirrjeve për COVID-19, Qendrën Studentore dhe në Linjën e Ndihmës Psikologjike për COVID-19.

Vizitën e filloi në Qendrën e Thirrjeve për COVID-19, e cila gjendet në objektin e Dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë. Aty u shoqërua nga drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHP), z. Naser Ramadani, dhe u mirëprit nga vullnetarët.

Qendra për Thirrje qëndron e hapur 24 orë ku 20 vullnetarë - student absolventë të Fakultetit të Mjekësisë, mjekë dhe infermier të rinj - pranojnë 200 deri në 300 thirrje në ditë nga qytetarët të cilët kanë shenja ose simptoma të dyshimta që ndërlidhen me virusin Corona e që kanë nevojë për informacione dhe konsulta për to.

Nga aty, kryeministri Kurti vizitoi Qendrën Studentore ku shërbejnë 30 vullnetarë të cilët kujdesen për të karantinuarit.

Në vizitë, kryeministri Kurti dhe ministri Vitia u shoqëruan nga menaxheri i Karantinës, Valdet Hashani dhe drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfisha ku zhvilluan një takim me vullnetarët.

Këta vullnetarë janë student absolventë të Fakultetit të Mjekësisë dhe mjekë, infermierë, psikologë e punëtorë socialë.

"Ata kanë një detyrë aspak të lehtë, pasiqë po kujdesën për mirëqenien dhe ushqimin e të karantinuarve, e që ia kanë dalë me shumë sukses. Që nga hapja e Qendrës së Karantinës më 18 mars janë shërbyer mbi 80,000 shujta", ka theksuar Kurti.

Ndalesën e fundit përgjatë vizitës së sotme, kryeministrit Kurti e pati në Ministrinë e Shëndetësisë ku vizitoi vullnetarët e Linjës së Ndihmës Psikologjike për COVID-19.

Aty janë 45 vullnetarë, psikologë të diplomuar ose absolventë të Departamentit të Psikologjisë, të cilët ju ndihmojnë qytetarëve ta përballojnë kohën e izolimit dhe pasojave që mund të vijnë si rezultat i tij.

Çdo ditë, nga ora 11:00 deri në ora 22:00, ata ofrojnë ndihmë të parë psikologjike atyre të cilët janë të shqetësuar, posaçërisht ata që përjetojnë ankthe apo shenja depresioni.

Kryeministri Kurti dhe ministri Vitia falënderuan gjithsecilin për vullnetarizmin e tyre dhe angazhimin e pakursyer dhe shprehën mirënjohje për qëndrueshmërinë dhe durimin.

Sipas studimeve të vitit të kaluar, Kosova nuk shquhet shumë për vullnetarizëm në mesin e të rinjve, përderisa vetëm 13% e tyre kanë marrë pjesë në aktivitete si vullnetarë.

Kryeministri Kurti tha se “ata të cilët janë vullnetarë janë të dalluarit e shoqërisë, por në mesin e të dalluarve ju jeni më të dalluarit”.

Ai shtoi se vullnetarizmi duhet të rregullohet me një kornizë ligjore e cila e nxitë atë dhe e rritë vlerën e tij në raport me punësimin e të rinjve, derisa ua dha epitetin e vullnetarëve gjatë kësaj pandemie si heronjtë e heshtur të kësaj beteje.

Në secilin vizitë, si shprehje e mirënjohjes dhe falënderimit kryeministri Kurti i shërbeu vullnetarët me ëmbëlsira.

Në të njëjtën kohë, pavarësisht faktit që po liberalizohen masat gradualisht, kryeministri ripërsërit thirrjet për kujdes të shtuar gjatë ndërveprimeve fizike dhe respektimit të udhëzimeve dhe rekomandimeve të IKSHPK.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)