Kurti kërkon kontroll të rreptë në respektimin e masave kundër koronavirusit
Prishtinë, 31 gusht - Komiteti për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë COVID-19 ka mbajtur mbledhjen e parë.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në hapje të mbledhjes ka folur për rrezikun nga varianti Delta dhe për shkak të karakteristikave të tij specifike, ai i paraqiti disa kërkesa të posaçme për Komitetin.
Kryeministri tha se çdo person i infektuar me këtë variant, infekton mesatarisht shtatë persona të tjerë.
Për këtë arsye, ai kërkoi nga anëtarët e Komitetit të jenë sa më të rreptë në kontrollimin e respektimit të masave, si dhe në ndëshkimin e shkelësve të tyre.
Sikurse variantet e tjera të virusit, edhe varianti Delta përhapet kryesisht përmes ngjarjeve super-përhapëse.
Kryeministri udhëzoi anëtarët e Komitetit që në zbatimin e masave të reja të përqendrohen kryesisht në vendet dhe ambientet ku këto ngjarje super-përhapëse kanë më shumë gjasë të ndodhin, siç janë: restorantet, baret dhe lokalet, palestrat dhe fitneset, transporti publik, sidomos transporti ndërurban, me udhëtarë pa maskë, qendrat tregtare me klientë pa maskë, mbajtja e dasmave, ahengjeve dhe ceremonive mortore në kundërshtim me masat e Qeverisë.
“Në mënyrë që zbatimi i masave të jetë sa më i përpiktë, kërkoj nga ju të shfrytëzoni të gjitha resurset të inspektimit që keni në dispozicion, duke përfshirë inspektorët e AUV-it, inspektorët e MINT-it (sidomos inspektorët e tregut), inspektorët komunalë dhe Policinë e Kosovës”, u tha kryeministri anëtarëve të Komitetit.
Kryesuesi i Komitetit, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se rezultati i analizave të datës 16 gusht nga Instituti “Robert Coch” në Gjermani dërguar IKSHP-së për mostrat e marra tregoi se në Kosovë dominon varianti Delta dhe shpërndarja e shpejtë e tij bëri që brenda një periudhe shumë të shkurtë numri i të infektuarve të 20 fishohet.
Ministri Vitia informoi për gjendjen aktuale në spitale dhe ecurinë e procesit të vaksinimit. “Ne jemi koshient se vetëm vaksina e ndalë përsëritjen e një vale të re, edhe pas kësaj vale. Por deri në vaksinimin e qytetarëve në masën e formimit të një imuniteti kolektiv, ne përkundër sfidave ekonomike që mund ti kemi, shëndeti publik i qytetarëve duhet dhe do të jetë prioriteti kryesor”, tha ministri Vitia.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla njoftoi se Policia e Kosovës është mobilizuar në mbikëqyrjen e zbatimit të masave dhe nga sot edhe Inspektorati Policor të Kosovës, i cili do të mbikëqyrë përmbushjen e detyrimeve të Policisë, nëpërmjet monitorimit të pjesëtarëve të Policisë në raport me masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës.
“Tashmë çdo zyrtari policor ka filluar t’i shpërndahet kopja e ligjit për covid dhe vendimi i fundit i Qeverisë në mënyrë që secili prej tyre të jenë të informuar mbi këtë ligj dhe këtë vendim. Po ashtu ka nisur zbatimi i vendimit për zgjatjen e orarit të punës për zyrtarë policorë nga 8 në 12 orë”, tha ministri Sveçla.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, kërkoi bashkëpunim më të mirë ndërmjet inspektorëve të AUV, tregut dhe inspektorateve komunale.
Komiteti për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë COVID-19 është themeluar dje, me datë 30 gusht 2021, me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Komiteti përbëhet nga 27 anëtarë që janë përfaqësues të institucioneve dhe organeve të ndryshme shtetërore e qeveritare dhe kryesohet nga Ministri i Shëndetësisë, z. Arben Vitia.