Kundërshtohet ndryshimi në Ligjin për Kontrollin e Duhanit
Prishtinë, 3 maj - Koalicioni Anti-Duhan i Kosovës që përfaqëson më shumë se njëzet subjekte qeveritare dhe joqeveritare dhe përfaqësues edhe të organizatave ndërkombëtare në Kosovë (MSh, OBSH, KADC) shprehet kategorikisht kundër çfarëdo ndryshimi në Ligjin për Kontrollin e Duhanit.
Koalicioni Anti-Duhan i Kosovës u bën thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mos i nënshtrohen presionit të industrisë së duhanit, për të ndryshuar nenin 9.2 të këtij ligji, i cili ndalon paraqitjen apo ekspozimin e produkteve të duhanit në pikat e shitjes.
Ligji për Kontrollin e Duhanit, i cili u miratua më 4 prill 2013 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës pa asnjë votë kundër dhe i cili hyri në fuqi më 22 maj 2013, ka sjellë një ndryshim pozitiv në politikat e mbrojtjes së shëndetit publik të popullatës, nga pasojat shkatërruese shëndetësore, sociale, ekonomike dhe mjedisore të konsumimit të duhanit dhe ekspozimi ndaj tymit të tij.
Arsyetimet e nismës për ndryshim-plotësimin e paragrafit 2, të nenit 9, të Ligjit për Kontrollin e Duhanit Nr. 04/L156, se ky paragraf është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës janë të pabazuara, për arsye se Kushtetuta ka paraparë kufizimin e lirive dhe të drejtave themelore, përfshirë edhe liritë komerciale, kur ajo është në interes publik të paraparë me ligj.
Nisma për ndryshime në këtë ligj, aq më tepër për ndryshimin e një neni që po zbatohet me korrektësi, për Koalicionin Anti-Duhan paraqet një kthim prapa në politikat e kontrollit të duhanit dhe të mbrojtjes së shëndetit publik dhe si e tillë nuk duhet të pranohen në asnjë mënyrë nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilët një vit më parë, me miratimin e këtij ligji, mundësuan që Kosova të fillojë të frymojë lirshëm nga tymi i duhanit.
Për Koalicionin Anti-Duhan është shqetësues nxitimi i disa deputetëve që Kuvendit të Kosovës që nën presionin e industrisë së duhanit, të qesin për shqyrtim në parim propozimin për ndryshimin e nenit 9.2, bazuar në një nismë qytetare të industrisë së duhanit, e cila pa u bërë as dy muaj të plotë të zbatimit të ligjit ( në korrik 2013) dhe pa kryer asnjë hulumtim rreth efekteve të këtij neni, ndërmerr një iniciativë për ndryshimin e këtij neni, me pretendime të paargumentuara se ndalimi i ekspozimit të duhanit gjoja i dëmton bizneset.
Praktika e deritanishme në Kosovë, e ka dëshmuar të kundërtën, me që bizneset kanë respektuar këtë nen, ndërsa nuk ka asnjë të dhënë të prekshme, që mos-ekspozimi, ka ndikuar në profitin e tyre.
Koalicioni Anti-Duhan rithekson faktin se industria e duhanit, është e vetëdijshme për rëndësinë e reklamimit në pikat e shitjes (PESh), veçanërisht kur format e tjera të reklamave janë të ndaluara, prandaj, ajo në mënyrë agresive përpiqet të argumentoj për të mbrojtur reklamimin në PESh jo për të mbrojtur të drejtat e konkurrencës dhe të shprehjes, por për të mbrojtur fitimet e tyre.
Reklamimi dhe shfaqja e produkteve të duhanit në pikat e shitjes ka efekt direkt në shëndetin publik dhe Qeveritë duhet të lejohet të rregullohet, sepse reklamat në PESh (pikat e shitjes) rrisin eksperimentimin dhe fillimin e pirjes së duhanit tek të rinjtë, kurse studime te shumta ne botë kanë gjetur vazhdimisht lidhje të forta në mes ekspozimit në PESh, inicimit dhe ndjeshmërisë sa i përket pirjes së duhanit, sidomos tek te rinjtë.
Reklamimi në PESh rrit ndjenjën tek të rinjtë për të eksperimentuar dhe nisur pirjen e duhanit.
Adoleshentët që frekuentojnë dyqane ku duhani reklamohet gjerësisht kanë dy herë më shumë gjasa për të filluar pirjen e duhanit; ekspozimi rrit gjasat që të rinjtë të lëvizin nga eksperimentimi me përdorimin e duhanit në përdorim të rregullt, dhe gjithashtu inkurajon blerjen impulsive (nga blerësi impulsiv) dhe e bën më të vështirë për përdoruesit që të ndërpresin përdorimin e duhanit .
Pra, shfaqja e duhanit ne pikat shitjes është një formë e fuqishme e reklamimit e përdorur nga industria e duhanit për të shitur produktet e saj dhe është veçanërisht efektive me të rinjtë dhe duhanpirësit që janë duke u përpjekur për ta lënë.
Në mënyrë që të zëvendësojnë klientët që e lënë duhanin ose vdesin, kompanitë e duhanit duhet të tërheqin përdorues të rinj për të ruajtur fitimet e tyre.
Kjo edhe është arsyeja, pse industria e duhanit ka lobuar gjatë gjithë kësaj kohe në nivele të ndryshme, në veçanti mbi deputetë të ndryshëm, që të ndryshohet ky nen.
Koalicioni Antiduhan thekson edhe një herë se ndalimet e ekspozimit në pikat e shitjes me pakicë janë në përputhje me rregullat ndërkombëtare të tregtisë.
Ato janë të zakonshme në nivel global (për shembull, shitja me pakicë e produkteve të duhanit është e ndaluar në Mbretërinë e Bashkuar , Kanadë , Finlandë , Islandë , Australi, Zelanda të Re dhe Irlandë) .
Industria e duhanit ka tentuar të ngre çështje gjyqësore duke pretenduar se ndalimi i shfaqjes së duhanit shkel ligjet ndërkombëtare të tregtisë - duke përdorur të njëjtat argumente si ato që janë përdorur në vendin tonë, por gjykatat kanë hedhur poshtë pretendumet e tyre si në rastin e Norvegjisë.
Për më tepër, nuk ka pasur rritje në tregun e paligjshëm të duhanit në shtetet të cilat kanë ndalime të shfaqjes së produkteve të duhanit, e as në vendin tonë, pasi që shtrirja e tregtimit të paligjshëm të duhanit është e përcaktuar nga faktorë të tillë si korrupsioni, prania e krimit të organizuar, dënimeve të ulëta për vepra dhe zbatimi i dobët i ligjit - faktorët që nuk kanë lidhje me politikat e kontrollit të duhanit.
Koalicioni Antiduhan rikujton se është Ligji për Kontrollin e Duhanit dhe sukseset e para të tij ai që bëri që në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, ky fakt të evidentohet si një sukses në fushën e shëndetit publik, prandaj, mund ta marr me mend secili se çfarë do të shkruhej në këtë raport për këtë viti, në rast se Kuvendi i Republikës së Kosovës bën një hap prapa me këtë ligj dhe merr në konsideratë kërkesën e pakuptimtë të industrisë së duhanit për ndryshimin e nenit të lart-theksuar.
Duke qenë që Ligji për Kontrollin e Duhanit është në përputhje të plotë me Kushteturën e Republikës së Kosovës, për çfarë është e vetëdijshme edhe industria e Duhanit, ndryshe ajo do ti drejtohej Gjykatës Kushtetuese për interpretim; në pëputhje të plotë me Konventën Kornizë për Kontrollin e Duhanit (KKKD) dhe udhëzimet e saj dhe është një ligj që nuk lë vend për dykuptimësi dhe një prej ligjeve më të mirëprituara nga qytetarët e vendit tonë;
Koalicioni Antiduhan i bën thirrje Kuvendit që të hëdh poshtë çfarëdo ndërhyrje në ndryshim-plotësimin e këtij ligji, i cili është në përputhje me legjislacionin evropian, sepse çdo ndërhyrje do t\'i dëmtonte përpjekjet e Qeverisë së vendit për të fuqizuar masat për mbrojtjen e shëndetit publik të popullatës dhe do ta ulte besimin e qytetarëve ndaj Kuvendit të Kosovës .
Për më tepër, për Koalicionin Antiduhan, ndërhyrja në kuptimin regresiv te ky ligj nga ana e Kuvendit, do të ishte një masakër legjislative ndaj shëndetit të gjeneratave të tanishme dhe të ardhshme të popullatës së sonë, në veçanti, ndaj fëmijëve tanë.
Besojmë fuqishëm që deputetët kosovarë janë të vetdijshëm për këtë fakt dhe do ti thonë JO, interesave komerciale dhe do të mbrojnë shëndetin e popullatës, ashtu siç bën vitin e kaluar.