Kujtim Shala zgjedhet kryetar i Odës së Stomatologëve
Prishtinë, 25 nëntor - Profesori dhe Specialisti i Protetikës Stomatologjike, dr. Kujtim Shala, është zgjedhur sot kryetar i Odës së Stomatologëve të Republikës së Kosovës, në kuvendin zgjedhor të kësaj ode.
Profesor Shala mori 54 vota prej 88 anëtarëve të Kuvendit të Odës së Stomatologëve sa morën pjesë në votim në raundin e dytë, pasi që raundi i parë nuk kishte përcaktuar fituesin prej katër kandidatëve sa ishin në garë.
Me të zgjedhur në këtë detyrë, profesor Shala, tha se do të jetë për të përgjegjësi që ta çojë tutje projektin e nisur të themelimit të Odave të profesionistëve shëndetësor nga Ministria e Shëndetësisë, duke bashkëpunuar me anëtarët e Kuvendit, për të cilët tha se paraqesin një bazë të mirë në ushtrimin e përgjegjësive të cilat do ti ketë Oda e Stomatologëve, bazuar në Ligjin për Odat e Profesionistëve Shëndetësor të Republikës së Kosovës.
Paraprakisht, Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, tha se me zgjedhjen e kryetarit dhe më pas edhe të organeve të tjera të Odës së Stomatologëve fillon procesi i dhënies së përgjegjësive nga MSh-ja tek profesionistët e kësaj fushe, me që Ministria po u jep autonomi menaxheriale dhe profesionale komunitetit të stomatologëve në ushtrimin e profesionit dhe përgjegjësive që lidhen me zhvillimin e këtij komuniteti.
Ministri Agani theksoi se në kuadër të reformës shëndetësore, që është projektuar dhe ka filluar me hyrjen në fuqi dhe zbatimin e disa ligjeve si Ligjit të Shëndetësisë, Ligjit të Odave të Profesionistëve Shëndetësor dhe Ligjit të Sigurimeve Shëndetësore që pritet të fillojë së zbatuari vitin tjetër, po vazhdohet me decentralizimin e shërbimeve shëndetësore dhe më pas edhe me decentralizimin e resurseve në sektorin shëndetësor, dhe në këtë kuptim, roli I Odës së Stomatologëve, tha ai, do të jetë shumë i madh në avancimin e këtij komuniteti, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë.
\"Ministria, nga ana e saj, do të nxjerrë legjislacion dhe hartojë politika, por sa i përket çështjeve profesionale, fjalën kryesore, do ta thoni ju\", u tha Ministri anëtarëve të Kuvendit të Odës së Stomatologëve të Kosovës.
Kuvendi i Odës së Stomatologëve pritet që gjatë dhjetorit të zgjedh edhe Këshillin Drejtues dhe Këshillin Mbikëqyrës, ndërkohë që Ministria është në përgatitje të zgjedhjeve për Odën e infermierëve të Kosovës.