Kuçi: Qeveria do të luftojë trafikimin e barërave të falsifikuara
Prishtinë, 13 nëntor - Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot mori pjesë në seminarin e organizuar nga Ambasada Franceze dhe UNODC (United Nations Office on Drugs and Crime) Luftimi i dukurisë së trafikimit të barërave të falsifikuara në Evropën Juglindore.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Zëvendëskryeministri Kuçi ka thënë se trafikimi i barërave të falsifikuara është një dukuri negative dhe se barërat e falsifikuara paraqesin rrezik potencial për të gjithë konsumuesit, duke shtuar se edhe Kosova si të gjitha shtetet e botës dhe ato të rajonit është e prekur nga kjo dukuri negative.
Zëvendëskryeministri Kuçi tha se Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë masa që ti adresojë dhe ti minimizojë shanset për trafikimin dhe përdorimin e barërave të falsifikuara.
Ai theksoi se Republika e Kosovës në përgjithësi ka një strukturë ligjore dhe praktike në përputhje me standardet europiane përfshirë këtu edhe ligjet dhe strategjitë kombëtare që ndalojnë trafikimin me barëra të falsifikuara, por sfidë sipas tij mbetet zbatimi i kësaj kornize ligjore në praktikë.
Lidhur me luftimin e kësaj dukurie, Kuçi kërkoi bashkëpunim të gjerë në mes të shumë akterëve dhe institucioneve vendore, gjithashtu theksoi nevojën e ngritjes dhe forcimit të nivelit të bashkëpunimit rajonal dhe me Bashkimin Evropian.
Në fund të fjalës së tij, Zëvendëskryeministri Kuçi ritheksoi se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të mbetet e përkushtuar në luftimin e dukurive negative si kjo e falsifikimit dhe trafikimit të barërave të falsifikuara dhe të gatshëm për të mbështetur ndryshimet në fushën e legjislacionit përkatës që do të lehtësonin dhe do të forconin luftën kundër kësaj dukurie negative.