23 Dhjetor 2024

Kryhet me sukse ndërhyrja kirurgjike me karcinomë të mushkërisë

Prishtinë, 4 prill - Në Repartin e Kirurgjisë Torakale të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës(QKUK), për herë të parë, me sukses të plotë është kryer një ndërhyrje kirurgjike e komplikuar tek një pacientë me karcinomë të mushkërisë.

Operacioni ka zgjatur më shumë se 4 orë dhe është  kryer nga  Dr. Safet Beqiri, Shef i Repartit të Kirurgjisë Torakale – Onkologjike  në Klinikën Kerckhoff të Gjermanisë me asistimin e specialistëve të Kirurgjisë Torakale në QKUK. 

Pacienti i operuar është i moshës 54 vjeçare dhe pas operacionit  ai ka gjendje stabile shëndetësore.   Dr. Safet Beqiri, në emër të Kerckhoff Klinikës, tha se ndjehet i lumtur që pati fatin që të jetësoi në praktikë marrëveshjen e bashkëpunimit që ishte lidhur me 4 janar të këtij viti ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, Qendrës Klinike Universitare dhe Kerckhoff Klinikës nga Gjermania.

“ Operacioni i tillë në Klinikën ku unë punoi  në Gjermani kushton mbi 20 mijë euro dhe pacienti nuk ka pasur mundësi të paguaj, andaj falë marrëveshjes së arritur më parë kjo ndërhyrje është kryer me sukses në QKUK dhe gjithçka ka shkuar mirë dhe përgatitjet  kanë qenë në nivel të duhur”.

Dr. Beqiri tha se me realizimin e operacioneve të tilla, kursehet buxheti i Kosovës,  arrihet edukim i mirë profesional për stafin dhe  ngritet niveli i shëndetësisë kosovare.

Ai tha se me punën dhe angazhimin e stafit vendor, por edhe me përkrahje më të madhe nga Qeveria dhe institucionet tjera vendore, brenda 5-10 vite Reparti i Kirurgjisë Torakale në QKUK  mund të bëhet qendër referente për tërë Ballkanin, meqë Kosova ka kuadro të mira në lëmin e shëndetësisë.    Sipas tij, bashkëpunimi i nisur mes QKUK-së dhe Kerckoff Klinikës do të vazhdojë edhe në të ardhmen me raste të tjera që ka nevojë të operohen, jo vetëm nga Kirurgjia Torakale, por edhe lëmitë  e tjera.


Dr. Nijazi Gashi, Drejtor Ekzekutiv në QKUK tha se ky është fillim i mirë i realizimit konkret të bashkëpunimit në mes të dy Qendrave Klinike Universitare.

“Jemi duke punuar vazhdimisht për të realizuar marrëveshje të tilla në mënyrë që trajtimi i pacientëve të bëhet në QKUK dhe mos të kenë nevojë pacientët të dalin jashtë vendi, do ta sigurojmë materialin  dhe pajisjet e tjera të nevojshme për punë”.

 Sipas tij,  rastet e tilla të operacioneve të suksesshme dëshmojnë se në QKUK ka kuadro dhe se përpjekjet janë që vazhdimisht të shtohet numri i shërbimeve që ofrohen dhe pacientët mos të drejtohen pa nevojë jashtë vendi.

Në anën tjetër, Dr. Fitim Selimi, Shef i Kirurgjisë Torakale në QKUK, tha se ka qenë një rast i mirë që mjekët e këtij Reparti të njohën me përvojat e reja. “ Neve na ka munguar përvoja në këtë drejtim dhe falë punës së Profesor Beqirit, nga afër patëm rastin të asistojmë në një rast të komplikuar”.

Bashkëpunimi i nisur ndërmjet QKUK-së dhe Kerckhoff Klinikës do të vazhdojë edhe në të ardhmen  në fushën e Kirurgjisë Torakale dhe fusha të tjera me rëndësi jetike për pacientët dhe shëndetësinë kosovare.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)