09 Janar 2025

Kryhen përgatitjet për fillimin e Fondin e sigurimeve shëndetësore

Prishtinë, 21 dhjetor - Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, ka informuar për përgatitjet që janë duke u zhvilluar për fillimin e grumbullimit të premiumeve për Fondin e sigurimeve shëndetësore në Kosovë.

Në informatë është theksuar se janë kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme që ky proces të fillojë me 1 janar, ndërsa disa nga veprimet e mbetura do të plotësohen para këtij afati.

Kryeministri Isa Mustafa tha se është themelore për Qeverinë që të ketë një përgjigje të saktë se a janë bërë të gjitha përgatitjet dhe a ka gatishmëri që ky proces të filloi nga 1 janari i vitit 2017.

“I kam pasur tri takime muajin e fundit me grupin ndërministror që merret me këtë çështje, me përfaqësuesit e Bankës Botërore, të Luksemburgut, të Suedisë dhe kemi biseduar me ta, sepse ata kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë edhe më tutje donatorët e shumë programeve të Ministrisë. Ka qenë edhe ambasadori i Zvicrës në këto takime. Ka qenë një pyetje e tyre, se a jemi ne të gatshëm të hyjmë në këtë proces.\"

\"Në të gjitha takimet që kemi pasur, kemi ardhur në përfundim se janë bërë përgatitjet dhe se duhet të përfundojnë me këto përgatitje deri në fund të këtij viti. Tanimë edhe s’kemi hapësirë të madhe kohore. Këto dokumente, të cilat ministri thotë se duhet t’i aprovojmë në Qeveri, ne do t’i aprovojmë në momentin kur të vijnë dhe në qoftë se ato natyrisht i plotësojnë të gjitha kushtet ligjore.\"

\"Orientimi është që ne të fillojmë me grumbullimin e kontributeve prej 1 janarit, ndërkaq në fund të marsit, përkatësisht nga 1 prilli, të jemi në gjendje që ato t’ua kthejmë, që qytetarët t’i shohin të mirat e këtyre kontributeve që japin, sepse megjithatë ne do të kemi ngarkesa të të ardhurave, jo vetëm personale, por ngarkesa edhe të firmave, edhe të punëdhënësve edhe të punëmarrësve dhe në këtë aspekt edhe rezultatet mbetet të shihen. Kemi punuar shumë gjatë në programin e sigurimeve shëndetësore.\"

\"Është një proces, i cili megjithatë duhet të përmbyllet, sepse u kemi borxh qytetarëve që t’iu ofrojmë sigurime dhe unë nuk jam për atë që tani ta vëmë në pikëpyetje a duhet apo s’duhet bërë, mirëpo poashtu i ftoj të gjitha ministritë përkatëse, të cilat do ta mbështesin dhe në këtë rast Ministrinë e Shëndetësisë, që ne të fillojmë me këtë proces, sepse dikur duhet të fillojmë dhe në qoftë se e shtyjmë, atëherë vetëm e prolongojmë fillimin, ndërkaq nuk e ndërrojmë situatën.\"

\"Ajo që ka mbetur si çështje e pakryer, është sistemi informativ shëndetësor, i cili nuk është siguruar, rrjeti nuk funksionon në tërë Kosovën. Janë disa komuna pilot, të cilat janë të mbuluar me këtë sistem dhe të cilat neve mund të na shërbejnë në këtë rast, por duhet të punojmë edhe më tutje. Përgjigja ka qenë e Ministrisë dhe faktorëve tjerë se ky sistem mund të përmbyllet kah fundi i vitit të ardhshëm, fundi i vitit 2017, jo më herët. Ne kemi evidencën  tjetër, përpos evidencës elektronike shëndetësore, e cila mund t’i hyjë në punë Ministrisë dhe Fondit të sigurimeve shëndetësore. Mirëpo, megjithatë është çështje që Qeveria të vlerësojë në një moment të caktuar dhe kjo do të jetë prapë një rikonfirmim nga ana e Qeverisë të përcaktimit tonë që të fillojmë.\"

\"Ne kemi marrë vendim për të filluar prej fillimit të vitit 2017. Në qoftë se do ta prolongonim këtë, duhet të ekzistojnë arsye të mëdha për të. Nuk jam ithtar i prolongimit të punëve, të cilat megjithatë një ditë duhet të fillojnë. Jam për atë që qytetarët t’i informojmë lidhur me pritjet e tyre dhe lidhur dobishmëritë e tyre nga ky projekt i sigurimeve, të cilin ne po e aplikojmë dhe që pakoja e parë të përgatitet që prej 1 prillit t’iu ofrohet qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe mandej ashtu siç lejojnë fondet, të pasurojmë pakon që iu ofrohet pacientëve, përkatësisht institucioneve shëndetësore.\"

\"Çështja është se a jeni ju të bindur për të filluar dhe të gjitha këto dokumente a i përfundojmë  deri në fund të vitit. Sa i përket Qeverisë kemi biseduar me zëvendëskryeministrin Kuçi dhe zëvendëskryeministrin Kelmendi i cili ka shtruar dilemën e vet të ngarkesës së bizneseve, ngarkesës së pagave, që janë çështje që gjithmonë duhet t’i kemi parasysh, por është një çështje që duhet shtyrë përpara. Ne si Qeveri i rrimë gati të gjitha dokumenteve që vijnë nga ju, mirëpo ato dokumente duhet të jenë në nivel kur të vijnë në Qeveri”, tha kryeministri.  

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se ky është ndër projektet themelore të Qeverisë, ku duhet të jenë të fokusuar të gjithë, duke kërkuar informata për punën që është bërë.  

Zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi tha se Fondi për sigurime shëndetësore është më se i domosdoshëm, por shtroi pyetjen se a do të shtohet efikasiteti i shërbimeve shëndetësore apo do të shtohet efikasiteti i barnave ndërsa shërbimet tjera shëndetësore do të jenë të njëjta.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)