Kryeministri Hoti prezanton masat e reja kundër koronavirusit
Prishtinë, 19 dhjetor - Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka njoftuar për masat e reja kufizuese, që kanë për qëllim parandalimin e përhapjes së mëtejmë të koronavirusit të ri.
Hoti tha se në ditët në vijim, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj do të njoftojë edhe për masa të reja kundër COVID-19, sëmundjes që e shkakton koronavirusi i ri.
Masat e reja përfshijnë ndalimin e çfarëdo organizimi nga institucionet publike që zakonisht bëjnë për festat e fundvitit për punonjësit.
Po ashtu, të gjitha shkollave u ndalohet çfarëdo organizimi apo ekskursioni i nxënësve apo mësimdhënësve.
Ministria për Punë të Jashtme dhe Diasporës duhet të njoftojë bashkatdhetarët për masat që anë në fuqi në Kosovë. Ndërkaq, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të jenë përgjegjëse për ngjarjet sportive dhe kulturore që mund të organizohen sipas udhëzimeve të manualit për mbrojtje nga koronavirusi i ri.
Zbatimi i këtyre masave, sipas kryeministrit Hoti, do të mbikëqyret nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe nga Agjencia e Veterinarisë dhe Ushqimit, me mbështetjen e Policisë së Kosovës.
Kryeministri Hoti tha se masat e ndërmarra nga qeveria më 11 nëntor “padyshim se kanë dhënë rezultat”.
“Tani, në prag të festave, jemi para një rreziku të përhapjes së infeksionit për shkak të lëvizjeve të mëdha të qytetarëve që ndodhin në kohë festash. Të gjithë po e shohim trendin në rritje në BE dhe rajon, ku disa vende janë mbyllur plotësisht. Kjo nënkupton se për disa javë edhe tek ne rastet do të rriten”, tha Hoti.
Në Kosovë, që prej mesit të muajit mars, e deri më 18 dhjetor, janë regjistruar 48.337 raste me koronavirus. Prej tyre, 1.240 persona kanë vdekur.