Kroacia ndihmon Kosovën me 10 mijë doza të vaksinës
Prishtinë, 24 maj - Kroacia do ta ndihmojë Kosovën me 10 mijë doza të vaksinës kundër koronavirusit.
Marrëveshja për të proceduar me këtë ndihmë është nënshkruar nga ana e ambasadores së Kroacisë në Kosovë, Danijela Barishiq dhe zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës.
Sipas një komunikate të Ministrisë së Shëndetësisë, ministri, Arben Vitia e ka njoftuar ambasadoren Barishiq me ecurinë e vaksinimit të grupeve prioritare sipas Planit shtetëror të Vaksinimit, mënyrën se si institucionet e Kosovës po ballafaqohen me pandeminë COVID-19 dhe sfidat në sistemin shëndetësor gjatë kësaj kohe.
Në njoftim nuk është bërë e ditur se kur do të pranojë Kosova këto vaksina dhe të cilit prodhues janë.