Kriza e COVID-19, nuk do të përfundojë domosdoshmërisht me një vaksinë
Gjenevë, 2 shtator - Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën thotë se kriza e shkaktuar nga COVID-19 nuk do të përfundojë domosdoshmërisht me një vaksinë, por kur shoqëritë të mësojnë si të bashkëjetojnë me të.
Në një intervistë të mërkurën për grupin mediatik britanik "SKY News", drejtori i OBSH-së për Evropën Hans Kluge shtoi se ato qeveri që ndërmarrin një rol drejtues aktiv dhe përqafojnë masat e shëndetin publik dhe parametra sociale, do të kenë suksesin më të madh në raport me krizën. Ai tha se "kjo mund të ndodhë që nesër".
Kluge tha se e kupton faktin që ekonomitë e çdo vendi janë dëmtuar rëndë nga izolimet dhe mbyllja, por çdo qasje, siç tha ai, ka rreziqet e veta. Ashtu sikurse shumë ekspertë të tjerë të shëndetit, zoti Kluge parashikon rritje të rasteve të reja me COVID-19 dhe të shtrimeve në spital ndërsa afrojnë muajt e ftohtë kur njerëzit qëndrojnë kryesisht në ambjente të mbyllura. Por ai tha se situata nuk do të jetë e ngjashme me fillimet e pandemisë kur qeveritë në mbarë botën u kapën në befasi.
“Virusi po luftohet tashmë. Ne mund të menaxhojmë transmetimin, ekonomitë tona dhe të hapim sektorin e arsimit dhe ky është një lajm i mirë", shtoi ai. Për këtë arsye zoti Kluge shprehet optimist, duke shtuar se edhe pse virusi nuk do të zhduket, kombet kanë mjete për t'u përballur me të. Ai përmendi si masa të nevojshme shmangien e grumbullimeve masive, përdorimin e maskave, rritjen e kapaciteteve të testimit, së bashku me gjurmimin e kontakteve si dhe bllokimet e lokalizuara sa herë të jetë e nevojshme. "Ne duhet të jemi mirë të përgatitur për këtë gjë", tha ai.